Hakan Calhanoglu është shndërruar në një prej shtyllave më të forta të Interit. Kur nuk është në fushë, mungesa e tij ndihet dhe në momentin që ai kthehet, zikaltrit ndryshojnë fytyre. Mesfushori turk, nën krahët e entuziazmit të kualifikimit në Botëror me Turqinë e tij, në ndeshjen me Romën, mori totalisht në kontroll lojën dhe u pa një tjetër histori.

Calhanoglu ka rregull dhe vizion loje, ka eksperiencë dhe kur duhet është edhe ‘i pamëshirshëm’; goli në fundin e pjesës së parë ndaj Romës ishte sa i bukur, aq edhe i rëndësishëm për të spostuar ekuilibrat dhe në fund të sezonit, mund të jetë pikërisht ky, goli i titullit për Interin.

Calhanoglu ka me klubin milanez një kontratë deri në qershor të 2027, por drejtuesit zikaltër po mendojnë për një rinovim edhe për një vit tjetër, pavarësisht dëmtimeve që e kanë detyruar të humbasë 16 ndeshje në 45 në total në këtë sezon.

‘Për mua nuk ishte e lehtë këtë sezon-tha Calhanoglu pas fitores me Romën-kam pasur dëmtime në kofshë dhe pulpë, që nuk i kisha pësuar më parë në karrierën time dhe që u shfaqën pas qindra ndeshjeve që kam luajtur. Duhet të menaxhoj më mirë, edhe unë duhet të kuptoj se çfarë mund të bëj më mirë. Por kur jam mire, gjithçka është më e lehtë’.

Ka humbur më shumë se 1/3 e ndeshjeve, e megjithatë Calhanoglu ka 10 gola të shënuar, 4 nga të cilat me gjuajtje nga distanca. 

Përpara pak javëve, dukej se largimi i Calhanoglu ishte i sigurt me destinacion Turqinë, por tani gjërat kanë ndryshuar; Galatasaray nuk ka prezantuar oferta konkrete dhe tani Interi është gati të flasë me përfaqësuesit e tij për një rinovim që do të jetë gjithsesi me shifra inferiore në krahasim me ato aktuale(6.5 milionë euro neto).

Top Channel