Në sistemin shëndetësor publik, pacientët vazhdojnë të përballen me pritje të gjata dhe mungesë shërbimesh bazë. Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka pranuar se pas datës 20 të çdo muaji ndërpritet kryerja e analizave në spitalet publike, për shkak të kufizimeve buxhetore nga ana e koncesionarit.
Ministrja Evis Sala ka premtuar se kjo situatë do të marrë zgjidhje brenda vitit. Megjithatë, realiteti në terren paraqitet ndryshe.
Në spitalin e Beratit, pacientët nuk përballen vetëm me vonesa disa ditore, por me pritje që shkojnë deri në katër muaj për kryerjen e analizave jetike. Për shumë qytetarë, kjo situatë i vendos përballë një zgjedhjeje të vështirë, të presin duke rrezikuar shëndetin, apo të drejtohen te shërbimet private, shpesh të papërballueshme ekonomikisht.
Emisioni investigativ Fiks Fare sjell rastin e 80-vjeçarit Qani Arapaj, i cili vuan nga prostata dhe ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Pas një vizite urgjente, mjekët i rekomanduan operacion, por më parë duhet të kryejë disa analiza të domosdoshme.
Problemi qëndron te koha e pritjes për këto analiza, Qaniu duhet të presë deri në katër muaj. Nëse nuk pret, alternativa e vetme është kryerja e tyre në privat, me një kosto rreth 24 mijë lekë të vjetra, një shumë e papërballueshme për një pensionist.
“Jam 80 vjeç dhe vuaj prej muajsh nga prostata. Mjeku më tha që duhet operacion, por më kërkoi disa analiza. Kur shkova për t’i bërë, më thanë të pres katër muaj. Po puna ime nuk pret. Më thanë: nëse nuk pret, shko në privat. Unë jam pensionist dhe mezi përballoj ilaçet,” shprehet Qani Arapaj.
Në një komunikim telefonik, përfaqësues të spitalit pohuan se pacientët duhet të presin radhën nëse rasti nuk konsiderohet urgjent, duke shtuar se mund të bëhet një përpjekje për të afruar datën e analizave me një muaj, por jo më herët.
Pas ndërhyrjes së Fiks Fare, Qaniut iu caktua një datë më e afërt për analizat, konkretisht më 1 maj 2026. Edhe pse jo zgjidhje ideale, për të kjo mbetet një lehtësim.
Rasti i tij nxjerr në pah një problem të thellë të sistemit si aksesin e kufizuar në shërbime bazë shëndetësore dhe pabarazinë mes atyre që mund të paguajnë dhe atyre që nuk kanë mundësi.
Top Channel