Pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në Botërorin e këtij viti dhe pas dorëheqjes së Gennaro Gattusos nga pankina, kanë filluar të qarkullojnë emrat e kandidatëve për të marrë vendin e lënë bosh prej tij.

Një prej emrave më të përfolur është ai i trajnerit të Napolit, Antonio Conte i cili nuk e ka fshehur aspak ambicien e tij për të rimarrë drejtimin e Të Kaltërve me të cilët ka punuar edhe në periudhën 2014-2016.

Vetë Conte  e pranoi hapur se do të donte të ishte mes kandidaturave në konferencën për shtyp pas fitores me Milanin në ndeshjen përmbyllëse të javës së 31 të Serie A.

‘Është e drejtë që emri im të jetë pjesë e listës së kandidaturave për kombëtaren. Po të isha në krye të Federatës do ta vendosja emrin tim në këtë listë bashkë me të tjerët-tha Antonio Conte-kam qenë më parë në pankinën e Kombëtares. E njoh ambientin, kam qenë trajner i saj për 2 vjet, nuk është për të bërë lajka, por të jesh trajner i kombëtares do të thotë përfaqësim i vendit. E dini situatën e kontratës sime, në fund të sezonit do të flas me presidentin dhe do të shohim’.

Conte i kthehet edhe rezultatit të ndeshjes me Bosnjen dhe krizën në futbollin italian.

‘Nëse do të kisha arritur në Botëror me penallti, do të flitej për arritje dhe për një futboll në shëndet, por rezultati ndryshon gjykimin-shtoi trajneri i Napolit-sa herë që nuk kualifikohemi lind nevoja e rindërtimit, por unë si trajner kombëtareje kam parë shumë pak ndihmë nga klubet. Ka futbollistë të një lloj niveli dhe diçka duhet bërë. E duam kombëtaren dhe na vjen keq për atë që ndodhi’.

Top Channel