Notoi në një lum në Uashington, gjendet e ngordhur një balenë

06/04/2026 18:07

Një balenë e vogël gri është gjetur e ngordhur pasi kishte notuar rreth 32 kilometra në një lum në shtetin e Uashingtonit, SHBA. Një grup kërkimor shkencor lokal bëri të ditur se shkaku i mundshëm i vdekjes lidhet me mungesën e ushqimit.

“Me keqardhje konfirmojmë se balena e vërejtur në lumin Willapa gjatë ditëve të fundit ka ngordhur”, njoftoi grupi kërkimor përmes një postimi në rrjetet sociale. Ata shtuan se po vlerësojnë sigurinë e zonës për të kryer një ekzaminim të plotë.

Balena e vogël, e pagëzuar u pa për herë të parë të mërkurën në një degë veriore të lumit, rreth 145 milje në jugperëndim të qytetit të Sietëllit. Sipas studiuesve, në atë moment ajo ishte e dobët, por sillej normalisht dhe nuk kishte shenja dëmtimi.

Ekipet kërkimore kishin shpresuar se balena do të gjente vetë rrugën për të dalë nga lumi, por kjo nuk ndodhi.

Balena gri nmigron në pranverë përgjatë bregdetit të Oqeanit Paqësor për t’u ushqyer në zonat arktike, duke shfrytëzuar rezervat ushqimore gjatë rrugës. Sipas biologëve, në raste të tilla ato mund të hyjnë në zona të pazakonta në kërkim të ushqimit, gjë që mendohet të ketë ndodhur edhe në këtë rast.

Vitet e fundit, balenat gri në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor janë përballur me mungesë ushqimi në detet veriore pranë Alaskës, duke përkeqësuar situatën për këtë specie.

Balena gri është një nga speciet më të vëzhguara përgjatë bregut perëndimor të Amerikës së Veriut dhe përbën një atraksion të rëndësishëm për turizmin ekologjik. Ajo mund të arrijë deri në 15 metra gjatësi dhe të peshojë rreth 40 tonë.

Megjithatë, këto balena përballen me rreziqe të shumta gjatë migrimit, si përplasjet me anije dhe ngatërrimi në pajisje peshkimi. Ato zakonisht udhëtojnë vetëm.

Në fillim të prillit, dy balena të rritura gri u gjetën të ngordhura në një zonë bregdetare pranë Oqeanit Paqësor. Të dyja ishin të kequshqyera, ndërsa njëra kishte dëmtime të rënda në kokë, që dyshohet të jenë shkaktuar nga përplasja me një anije.

Të dhënat më të fundit nga dimri i vitit 2025 tregojnë një rënie të vazhdueshme të numrit të balenave gri, me rreth 13 mijë të mbetur, niveli më i ulët që nga vitet 1970.

Top Channel