Pas asaj që ndodhi në ndeshjen mes Spanjës dhe Egjiptit në Cornella ku u dëgjua kori ksenofob dhe racist ‘Kush nuk kërcen është mysliman’, diçka që u kritikua me forcë nga Lamine Yamal, një incident i ngjashëm u rishfaq në fundjavë dhe në shënjestër u vu pikërisht ylli 18 vjeçar i Barcelonës.

Gjithcka ndodhi në sfidën e së shtunës në Metropolitano mes Atletico Madrid  dhe Barcelonës e fituar nga katalanasit 1-2. Në një moment te sfidës, Yamal shkoi për të ekzekutuar një goditje këndi dhe aty disa tifozë të Atleticos nuk i kursyen fyerjet ksenofobe ndaj talentit të përfaqësueses spanjolle.

‘Je shumë i shëmtuar, bastard, ik me Marokun’-dëgjohej t’i drejtoheshin Yamal tifozët, që përveç kësaj fraze thanë edhe fyerje të tjera në drejtim të futbollistit.

Në ndeshjet e fundit janë dëgjuar shumë fyerje në stadiumet spanjolle në drejtim të futbollistëve në fushën e lojës. Në një video që u publikua në median iberike për fyerjet ndaj Yamal, autorët e këtyre koreve të shëmtuara nuk identifikoheshin. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të klubeve në Spanjë për të parandaluar këto fenomene negative, për fat të keq ende ka persona që me sjellje të tilla të turpshme njollosin imazhin e futbollit spanjoll.

Top Channel