Pas pauzës për ndeshjet e kombëtares për playoffin e Botërorit 2026, skuadrat e Kategorisë Superiore kthehen në fushën e lojës me sfidat e javës së 30. Ky raund nis këtë të premte pikërisht me sfidën mes Flamurtarit dhe Tiranës dy skuadra që janë në pozita shumë delikate teksa janë në luftë për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar.

Diferenca mes Tiranës dhe Flamurtarit që janë të pozicionuar respektivisht  në vendin e 9 dhe të 10 është vetëm 3 pikë, kështu që kjo ndeshje i mbart të treja rezultatet. 

Ky raund vijon ditën e shtunë me 3 ndeshje të tjera ku spikat ajo mes Partizanit dhe Vllaznisë. Vëmendjen më të madhe padyshim që e merr sfida që do të luhet në ‘Arenën e Demave’ mes skuadrës që është në momentin më të mirë në këtë fazë të sezonit dhe kryesuesve të klasifikimit. Partizani është brenda zonës së Final Four dhe kërkon më shumë se thjesht një kualifikim për në kompeticionet evropiane sezonin e ardhshëm. Ndërsa Vllaznia do të kërkojë të lërë pas paraqitjet me luhatje në 5 ndeshjet e fundit ku kanë regjistruar një bilanc me vetëm 1 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.

Ndeshje me shumë interes është edhe ajo mes Dinamos dhe Elbasanit. Skuadra e Gvozdenovic është në vendin e dytë me pikë të barabarta me Vllazninë, por me golavarazh më të dobët, por ajo do të përballet me një skuadër që është e etur për fitore duke qenë se Dinamo në 3 ndeshjet e fundit nuk e ka ndjerë shijen e fitores. Të shtunën do të luhet edhe sfida mes Egnatias dhe Bylisit, me skuadrën rrogozhinase që është shumë pranë Vllaznisë dhe Elbasanit në një garë të ndezur për titullin, ndërkohë që Bylisi kërkon të përforcojë akoma më shumë pozitat e tij dhe t’i largohet akoma më shumë 3 vendeve të fundit. Java e 30 e Kategorisë Superiore do të mbyllet me ndeshjen mes Vorës dhe Teutës që do të luhet pasditen e së dielës.

Top Channel