Në kuadër të projektit “Moisiu i Ri”, në qytetin e Durrësit u organizua një festival teatror i dedikuar të rinjve, një nismë me vlerë të veçantë artistike dhe edukative, e sjellë me vizion dhe përkushtim nga drejtoresha e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Alketa Tragaj Myshketa.
Ky festival u konceptua si një hapësirë ku brezi i ri të mund të shprehë talentin, ndjeshmërinë artistike dhe aftësinë krijuese në skenë, duke u afruar më shumë me artin e teatrit dhe me kulturën e qytetit.
Me angazhimin e tre regjisorëve Najada Elmazi, Elios Ibro dhe Jona Bala, si dhe të trupës profesioniste të Teatrit “Aleksandër Moisiu”, nën drejtimin artistik të Alketa Tragaj Myshketës, u realizuan 7 shfaqje teatrore të zhanreve komedi, dramë dhe tragjedi, të interpretuara nga gjimnazet e Durrësit.
Ky festival dëshmoi rëndësinë e edukimit artistik te brezi i ri, duke krijuar mundësi reale për të rinjtë që të zhvillojnë talentin e tyre dhe të përjetojnë disiplinën, përgjegjësinë dhe emocionin e skenës.
Juria, e përbërë nga figura të njohura të artit shqiptar, si Dekani i Fakultetit të Artit Skenik, Milto Kutali, si dhe aktorët e shquar Ndriçim Xhepa, Xhelal Tafaj dhe Arben Derhemi, e cilësuan këtë projekt si një hapësirë të rëndësishme frymëzimi, edukimi dhe zbulimi të talenteve të reja në skenë.
Edhe aktorët e njohur të teatrit të Durrësit vlerësuan nivelin cilësor të shfaqjeve të përgatitura nga nxënësit, duke theksuar talentin dhe pasionin e tyre për artin skenik. Komisioni profesionist vlerësoi me çmime si shfaqjet, ashtu edhe nxënësit pjesëmarrës, duke evidentuar punën, përkushtimin dhe potencialin e tyre artistik.
Niveli artistik i shfaqjeve evidentoi qartë cilësinë e punës së bërë dhe spikati emra të rinj me potencial të dukshëm, duke nxjerrë në pah talente premtuese për të ardhmen e teatrit në Durrës.
Në vijim të këtij projekti, tre nga shfaqjet më të spikatura do të ngjiten shumë shpejt si premiera për publikun e Durrësit:
🎭 “Medea” – Shkolla “Naim Frashëri”
🎭 “Boeing-Boeing” – Shkolla “Gjergj Kastrioti”
🎭 “Ëndrra e një nate vere” – Shkolla “Olsi Lasko”
Këto premiera janë dëshmi se “Moisiu i Ri” nuk është thjesht një aktivitet teatror, por një proces i gjallë artistik që vazhdon të zhvillohet dhe të marrë jetë në skenë.
Ky projekt përbën një investim të rëndësishëm në edukimin artistik të brezit të ri dhe në zbulimin e talenteve të reja, duke i dhënë skenës së qytetit një frymë të re që vazhdon të jetojë.
Top Channel