Qeveria e Kosovës i dha dritën jeshile legjislacionit për masat e përkohshme mbi produktet bazë, i njohur dhe si Projektligji për çmimet tavan.
Kryeministri Albin Kurti e bëri të qartë se ky projektligj nuk ka për qëllim të pengojë rritjen e çmimeve, por të parandalojë keqpërdorimet dhe fryrjen artificiale të çmimeve gjatë krizave.
“Po e risjellim për miratim këtë projektligj si një përgjigje e nevojshme ndaj realitetit që qytetarët tanë përjetuan: rritje të papritur çmimesh, paqartësi në treg dhe mungesë të mekanizmave efektivë mbrojtës. Me këtë legjislacion, nuk po ndërhyjmë në tregun e lirë, por po mbrojmë lirinë e tij nga abuzimet”, tha kryeministri i Kosovës.
Kurti shtoi se ligji vendos një ekuilibër të domosdoshëm midis funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për të mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme.
Ai insistoi se projektligji ofron instrumente të qarta për ndërhyrje të përkohshme, duke shmangur deformimet afatgjata të tregut.
Më tej, garantoi furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme për produktet bazë gjatë krizave, parandalimin e spekulimeve dhe fitimit të paarsyeshëm në kurriz të qytetarëve, dhe garantoi se do të ketë reagim të shpejtë institucional kur tregu destabilizohet.
Ky projektligj ishte miratuar më parë në Kuvendin e Kosovës, por u dërgua nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, e cila e shpalli atë antikushtetues. Këtë herë, Qeveria e ka riktheu për miratim me plotësimet e nevojshme.
Top Channel