Kritikoi hapur regjimin dy ditë më parë, arrestohet në shtëpinë e saj aktivistja për të drejtat e njeriut në Iran

03/04/2026 09:50

Forcat e sigurisë iraniane kanë arrestuar avokaten dhe aktivisten e njohur për të drejtat e njeriut, Nasrin Sotoudeh, në shtëpinë e saj në Teheran, duke konfiskuar gjithashtu kompjuterët dhe telefonat e saj.

Operacioni u zhvillua në mbrëmje, pa dhënë detaje për vendndodhjen e saj.

“Sapo mësuam se mamaja u arrestua mbrëmë ndërsa ishte vetëm,” shkroi vajza e saj, Mehraveh Khandan, në Instagram. “Kur të afërmit shkuan në shtëpi, zbuluam se ishin konfiskuar pajisje elektronike, duke përfshirë laptopët dhe telefonat e mamasë dhe babait. Mamaja nuk ka qenë ende në kontakt dhe nuk kemi asnjë informacion mbi agjencinë që kreu arrestimin.”

Vetëm dy ditë më parë, Sotoudeh kishte kritikuar hapur regjimin iranian, duke bërë që arrestimi i saj të shihet si pjesë e një represioni në rritje ndaj aktivistëve dhe të drejtave të grave.

62-vjeçarja Sotoudeh ka qenë një nga mbrojtëset më të shquara të të drejtave të grave dhe të njeriut në Iran. Ajo është arrestuar disa herë në të kaluarën: në vitin 2019 u dënua me 33 vjet burg dhe 148 goditje me kamzhik për aktivitetin e saj, ndërsa në vitin 2023 u burgos gjatë protestave kundër mbulimit të detyrueshëm të shamisë, por më vonë u lirua me kusht.

Top Channel