Celine Dion rikthehet në skenë pas sëmundjes së rrallë, këngëtarja rinis koncertet dhe publikon këngë të re

31/03/2026 16:32

Superylli i muzikës botërore, Celine Dion, ka njoftuar rikthimin e saj në skenë pas një ndërprerjeje të gjatë për shkak të problemeve shëndetësore.

Në një video të publikuar për fansat, këngëtarja 58-vjeçare tha se gjendja e saj është përmirësuar dhe se është gati të rikthehet me një seri koncertesh në Paris, duke nisur nga muaji shtator.

“Shëndeti im është mirë, ndihem mirë, ndihem e fortë, po këndoj shumë, madje edhe po kërcej pak, sigurisht. Por kam diçka shumë të rëndësishme për t’ju thënë. Këto vitet e fundit, nuk ka pasur asnjë ditë që të mos kem ndjerë lutjet tuaja, mbështetjen tuaj dhe sigurisht dashurinë tuaj.

Edhe në momentet më të vështira, ju keni qenë aty. Më keni ndihmuar në një mënyrë që nuk shpjegohet, dhe ndihem shumë me fat që mund të mbështetem tek ju. Më mungoni shumë. E gjithë kjo më çon sërish tek ditëlindja ime.

Kështu që këtë vit, do të marr dhuratën më të bukur të gjithë jetës sime. Do të kem mundësinë të vij t’ju takoj dhe të këndoj për ju sërish në Paris, duke nisur këtë vjeshtë në shtator. Me të vërtetë mezi pres t’ju shoh përsëri”, u shpreh Celine Dion.

Artistja do të publikojë gjithashtu një këngë të re, të realizuar nga kompozitori i njohur Jean-Jacques Goldman, i cili ka qenë edhe autor i disa prej hiteve të saj më të mëdha. Rikthimi i saj vjen më shumë se gjashtë vite pasi u detyrua të ndërpresë aktivitetin artistik.

Turneu “Courage World Tour”, i nisur në vitin 2019, u anulua fillimisht për shkak të pandemisë Covid-19 dhe më pas për shkak të sëmundjes së saj. Në vitin 2022, Dion zbuloi se ishte diagnostikuar me “Stiff Person Syndrome”, një çrregullim autoimun i rrallë që shkakton ngurtësim të muskujve dhe dhimbje të forta.

Megjithatë, këngëtarja nuk hoqi dorë nga skena. Në vitin 2024 ajo u rikthye simbolikisht duke performuar nga Kulla Eiffel gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në Paris.

Top Channel