Kombëtarja shqiptare e U21 triumfoi në ndeshjen miqësore me Uzbekistanin të zhvilluar në Antalia të Turqisë. Skuada e Alban Bushit iu imponua kundërshtarëve të saj duke i mundur me rezultatin 3-2 një fitore që u vendos nga Ermir Rashica dhe Etnik Brruti.

Vetëm 17 minuta pritën 21 vjeçarët kuqezinj që morën avantazhin në 1-0 me golin e Ermir Rashicës. Reagimi i Uzbekistanit ishte i menjëhershëm teksa në minutën e 22 barazoi me golin e Fayzullaev. Kundërpërgjigjja e të besuarve të Alban Bushit ishte shumë e shpejtë teksa në harkun e 2 minutave respektivisht në të 30 dhe të 32, Etnik Brruti ndëshkoi uzbekët me dygolëshin e tij duke e çuar rezultatin në 3-1 për Kombëtaren U21.

Në pjesën e dytë, Kombëtarja U21 pati shansin të shënojë golin e katërt me Arlind Kurtin me penallti, por ky i fundit gaboi nga pika e bardhë. Vetëm 1 minutë më vonë Uzbekistani ngushtoi shifrat në 3-2 me golin e Abdurakhmonov Firdavs.  Pavarësisht presionit të minutave të fundit, Kombëtarja shqiptare U21 arriti të administrojë rezultatin dhe të sigurojë fitoren e kësaj ndeshje miqësore.

Top Channel