Bosnje-Itali, Turpin do të vendosë drejtësi me një precedent që i bën Të Kaltrit të dridhen
Nëse ka ndonjë futbollist që e njeh mjaft mirë futbollin turk, ai është Vedat Muriqi. Sulmuesi i Mallorcas, në mbrëmjen e së martës me kombëtaren e tij, do të përballet me Turqinë në një ndeshje historike, fitorja e mundshme e së cilës do të çojë Dardanët në Botërorin e SHBA, Kanadasë dhe Meksikës.
‘Pirati’ foli për këtë përballje në median turke duke mos e fshehur një ndjenjë të veçantë duke qenë se 8 vjet të karrierës së tij ai i ka kaluar në futbollin turk.
‘Të qenit përballë Turqisë, më shkakton një pështjellim ndjenjash-tha Muriqi për HT Spor-unë u bëra Vedati në karrierën time në Turqi. Tetë vjet, sigurisht…Giresunspor, Gençlerbirliği, Rizespor, Fenerbahçe… Këto klube më bënë Vedati që jam sot. Për familjen time, Turqia ka një vend special në zemër. Po përjetoj emocione komplekse’
Për Vedat Muriqin ndeshja me Turqinë do të jetë e vështirë dhe shumë e luftuar
‘Kam pasur nderin të luaj si përkrah ashtu edhe kundër disa prej futbollistëve të Turqisë-vijoi Muriqi-kështu që po përjetoj ndjenja të mrekullueshme dhe interesante. Por duke pasur parasysh se Turqia nuk merr pjesë në një Botëror prej 24 vitesh, mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe kompetitive’.
Sulmuesi dardan tha se Turqia është favorite për këtë ndeshje, por Kosova ka avantazhin që luan në shtëpi
‘Padyshim që Turqia është favorite në këtë përballje-shtoi Muriqi-avantazhi ynë është që do të luajmë në fushën tonë. Turqia ka Kenan Yildiz, Arda Guler, janë asete të çmuara të futbollit turk, evropian dhe atij botëror. Ne duam të japim më të mirën tonë, të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë, të bëjmë një lojë skuadre dhe të arrijmë objektivin tonë’.
Duke u kthyer te e kaluara e tij në Turqi, Muriqi tha ka shumë respekt për atë vend ku ai u rrit shumë si futbollist
‘Që nga dita e parë që shkova në Turqi, tifozët atje më kanë mbështetur gjithnjë-tha Muriqi-por tani ne jemi rivalë, për një ndeshje ne jemi rivalë për 90 apo 120 minuta. Kam shumë respekt për Turqinë. Aty jam rritur si futbollist, fillova të fitoj për jetesën. Sigurisht është ana emocionale dhe unë flas turqisht sikur të kem lindur atje. Por ne do të japim gjithçka që të bëjmë ëndrrën tonë realitet’
Top Channel