Arbër Hoxha ishte protagonist në mbrëmjen e 26 marsit në sfidën e zhvilluar në Varshavë mes Polonisë dhe Kombëtares shqiptare teksa ishte autori i avantazhit të kuqezinjve duke bërë me zemër të gjithë tifozët polakë që ishin të pranishëm në fund.

Për fatin e keq, Kombëtarja nuk diti të ruajë këtë avantazh dhe Polonia fitoi 2-1. Megjithatë duket se Arbër Hoxha ka tërhequr shumë vëmendjen e futbollit polak. Dhe mesa duket e ardhmja e sulmuesit kuqezi do të jetë pikërisht në Ligën Polake. Sipas gazetarit Tomasz Włodarczyk të portalit Meczyki mund të transferohet te Widzew Lodz në muajt e verës. Hoxha luan vazhdimisht me Dinamon e Zagrebit në Kroaci dhe është një element shumë i rëndësishëm. në total sulmuesi kuqezi ka zhvilluar 33 ndeshje në këtë sezon me 6 gola të shënuar dhe 5 asist dhe portali transfermarkt e vlerëson 27 vjeçarin 2.5 milionë euro.

Futbollisti mësohet se ka pranuar të kalojë te Widzew dhe jo vetëm kaq; gjithnjë sipas Włodarczyk, edhe vetë klubi ka arritur një marrëveshje me Dinamon e Zagrebit për Arbër Hoxhën, por në të gjithë këtë histori ka edhe një kusht; Hoxha do të shkojë te Widzew Lodz vetëm nëse ky i fundit qëndron në elitën e futbollit polak, Ekstraklasa,  dhe kjo për momentin nuk është e sigurt

Widzew aktualisht është në vendin e 17, i parafundit në klasifikimin e kampionatit me 29 pikë, 1 më pak se Legia Varshavë në vendin e 15.  Nëse Arbër Hoxha do të transferohet te Widzew, do të bashkohet me futbollistë të tjerë shqiptarë pasi pjesë e kësaj skuadre janë edhe Julian Shehu, Lindon Selahi dhe Andi Zeqiri.

Top Channel