Kosova arriti një fitore të madhe në gjysmëfinalen e play off-it të Botërorit 2026 në Bratsilavë përballë Sllovakisë me rezultatin 3-4 dhe tani janë vetëm një hap larg ëndrrës për një Kupë Bote.
Të martën e 31 marsit, “Dardanët” do të presin në Prishtinë Turqinë për të luajtur finalen e madhe të play off-it.
Presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë, Agim Ademi, tregoi për “Shqipëria Live” se çfarë ndodhi në Sllovaki.
Ai u shpreh se edhe pse shteti sllovak nuk e njeh Kosovën, pritja dhe respekti që lojtarët e Dardanëve përjetuan në Bratislavë ishte për t’u admiruar.
Ai gjithashtu shtoi se kualifikimi në Botëror do të ishte dhe një dhuratë e bukur për 10-vjetorin e njohjes së Kosovës nga UEFA dhe FIFA, duke shtuar se beson te lojtarët dhe stafi.
“Të gjithë futbollistët e kishin në mendje që na duhej vetëm fitorja. Asgjë nuk i ka motivuar më shumë se përfaqësimi i Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pikërisht në një vend që ende nuk e ka njohur Kosovën. Përkundër kësaj, që ata nuk na kanë njohur, dua t’i falënderoj sllovakët dhe shtetin sllovak. Treguan një profesionalizëm, ishte një korrektësi shtetërore që nga aeroporti. Diku te 7 mijë shqiptarë kanë qenë në stadium, por edhe në qytetin e Bratislavës. Në çdo bar ka jehuar kënga shqip, flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës. Organizimi dhe sjellja perfektë. Kemi pritur që të fërshëllehej himni ynë dhe nuk kishte asnjë të tillë. Edhe në kthim na kanë kthyer siç duhet, me plot profesionalizëm, duke na uruar fitoren. Nuk e prisnim këtë, duke ditur që nuk na njeh. Por futbolli bashkon botën, kjo gjë ndodhi në Sllovaki.
Ne jemi munduar të largohemi nga presioni. Gjithmonë i kam thënë që play off-i ishte një arritje e jashtëzakonshme për ne. Kosova ka një histori të atëhershme në futboll në shtetin e atëhershëm që kemi qenë, por UEFA dhe FIFA na numërojnë si 10-vjeçar. Këtë vit bëjmë 10 vite. Në këtë kohë, Kosova ka bërë shumë në futboll. Shumica e futbollistëve tanë kanë luajtur në shtetet ku jetojnë, Zvicër, Gjermani etj. Kosovën dhe Shqipërinë e kanë si trungun e tyre. Kur është kështu, unë falënderoj prindërit që i kanë rritur me frymën e patriotizmit. Nuk ka asnjërin prej tyre që nuk flet shqip”, tha Ademi.
Top Channel