Suksesi historik i Kosovës që mposhti Sllovakinë duke u kualifikuar për në finalen e playoffit të Botërorit ka një vlerë të jashtëzakonshme në aspektin sportiv.

Edhe pse vetëm 10 vjet pas anëtarësimit në FIFA dhe UEFA, kombëtarja Dardane është duke prekur një ëndërr të madhe  teksa sheh që Botërori t’i afrohet gjithnjë e më shumë. Por ky sukses i arritur në tokën sllovake sjell edhe një përfitim të jashtëzakonshëm financiar për Dardanët e drejtuar nga Franco Foda teksa do të shpërblehet nga qeveria Kurti me 500 mijë euro.

Kryeministri i Kosovës, kishte premtuar kohë më parë se do t’i akordonte skuadrës dardane 500 mijë euro nëse do të fitonte ndaj Sllovakisë, një shpërblim që bëhet akoma më i majmë nëse Kosova do të kalojë edhe Turqinë në finale dhe do të presë biletën për në Botëror dhe ky shpërblim do të jetë plot 1 milion euro.

Kosova do të luajë finalen me Turqinë në 31 mars, një ndeshje që do të luhet në shtëpinë e saj në ‘Fadil Vokrri’ ku parashikohet një atmosferë e jashtëzakonshme pasi biletat në dispozicion janë shitur të gjitha në vetëm pak orë që nga dalja e tyre në shitje

Top Channel