“Meritonim më shumë”/ Uzuni në lot pas disfatës në Poloni: Mund të bënim krenarë të gjithë shqiptarët, tani duhet të presim 4 vite të tjera
Shqipëria nuk ia del në Poloni! Goli i Arbër Hoxhës në pjesën e parë ishte thjesht një iluzion.
Në Varshavë fitojnë polakët me dy gola në pjesën e dytë dhe sigurojnë ndeshjen tjetër me Suedinë, që i mban ende në lojë.
Shqipëria e nisi ndeshjen në mënyrë të kujdesshme, pa rrezikuar shumë në fazën sulmuese, duke ia lënë iniciativën vendasve! Polonia, e gjitha me sytë te Lewandowski, u përpoq të luante shpejt dhe me agresivitet, por kuqezinjtë arritën të rezistojnë mirë.
Dëmtimi i Ajetit në minutën e 15’, që la fushën e lojës për shkak dhimbjesh në krah, nuk ndryshoi sjelljen e Kombëtares në fushë.
Në vend të tij u fut Ismajli, një tjetër mbrojtës me cilësi që i tregon muskujt që në start. Dueli përgjithësisht u zhvillua në mesfushë dhe gradualisht kuqezinjtë arritën të imponohen, kryesisht me kombinimet nga e majta Mitaj-Hoxha.
Sinjalin e parë të qartë e dha Laçi me një gjuajtje të fuqishme në minutën e 36’, ndërsa goli erdhi 6 minuta më pas. Hysaj hedh një top të gjatë prej 50 metrash drejt sulmit, mbrojtësi polak Bednarek gabon dhe Hoxha, që është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, nuk fal, duke e dërguar topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë Shqipëria e nis me vetëbesim dhe ka rastin të dyfishojë me Bajramin në minutën e 54, por mesfushori gabon një rast të artë! Dhe kur nuk shënon, ndëshkohesh!
Nëntë minuta më pas, kuqezinjtë pësojnë golin e barazimit nga Lewandowski, që shfrytëzoi në një goditje këndi një gabim në markim të mbrojtjes kuqezi dhe një gabim po ashtu edhe të Strakoshës në dalje.
Shqipëria ka megjithatë një rast të artë me dy lojtarë të sapofutur në fushë, Broja dhe Pilo. Mesfushori i AEK-ut, në minutën e 72, mori një pasim fantastik nga Broja, por gaboi.
Vetëm një minutë më pas, Polonia na shënon sërish me Zielinskin, me një gjuajtje nga distanca. Silvinjo hedh edhe Muçin në fushë, por nuk mjafton për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
Shqipëria nuk e realizoi dot ëndrrën e një shekulli për të shkuar në Botëror. Në ndeshjen tjetër me Suedinë, që mundi Ukrainën, do të luajë Polonia.
Rezultati:
Poloni 2-1 Shqipëri
Lewandowski 63′, Zielinski 73′ / Hoxha 42′
Komenti Live:
90+7′ Mbyllet sfida me fitoren 2-1 të Polonisë!
90′ Akordohen 5 minuta shtesë.
88′ Asllani shkakton një ndërhyrje të gabuar duke i hequr mundësinë e kundërsulmit vendasve dhe ndëshkohet me të verdhë.
82′ Zëvendësim te Shqipëria. Largohet Laçi dhe në vendin e tij futet Muçi.
73′ Gol Polonia 2-1/ Zielinski godet nga distanca dhe kalon vendasit në avantazh. (Video)
72′ Broja jep një top të bukur për Pilon, por tentativa e tij ndalet nga Grabara.
68′ Dy zëvendësime te Shqipëria. Largohen Bajrami dhe Hoxha, në vendet e tyre futen Broja dhe Pilo.
63′ Gol Polonia 1-1/ Lewandowski kërcen mbi Hysajn dhe me kokë shënon. (Video)
54′ Hysaj ecën drejt zonës dhe e pason për Bajramin, i cili brenda zonës nuk godet siç duhet.
46′ Zëvendësim te polakët. Largohet Rozga dhe në vendin e tij futet Pietuszewski.
46′ Nis pjesa e dytë!
45+3′ Mbyllet pjesa e parë në Varshavë!
45′ Akordohen 3 minuta shtesë.
42′ GOOOL Shqipëria 0-1/ Arbër Hoxha përfiton nga një gabim në mbrojtjen polake, kalon portierin dhe dërgon topin në portën e boshatisur. (VIDEO)
36′ Laçi provon me një goditje nga distanca, por tentativa e tij shkon mbi kuadratin e portës.
17′ Probleme për ekipin Kombëtar! Ajeti lë fushën i dëmtuar dhe në vendin e tij futet Ismajli.
7’ Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, topi shkon rrezikshëm drejt portës, me Hysajn i cili me kokë e largon nga katërkëndori.
5′ Lewandowski provon me një gjuajtje brenda zonës, por topi devijohet dhe shkon në këndore.
1′ Nis sfida në Varshavë!
Formacionet Zyrtare:

Top Channel