Meloni humb referendumin për Reformën në Drejtësi në Itali, 53% e italianëve i thonë “JO” Kryeministres së djathtë

23/03/2026 18:15

Rezultatet paraprake të referendumit për reformën në drejtësi në Itali konfirmojnë një epërsi të qartë të kampit kundërshtar të Giorgia Melonit.

Sipas projeksioneve më të fundit, “Jo” kryeson me 53,9%, ndërsa “Po” mbetet në rreth 46%, duke çuar drejt rrëzimit të reformës së mbështetur nga qeveria.

Pjesëmarrja në votime ka qenë e lartë, rreth 58,9%, një tregues i fortë i mobilizimit qytetar, edhe pse në këtë rast nuk kërkohej kuorum. Në nivel territorial, “Jo” dominon në shumicën e rajoneve, ndërsa “Po” arrin të fitojë vetëm në disa zona të veriut si Lombardia, Veneto dhe Friuli Venezia Giulia.

Rezultati përbën një goditje politike për kryeministren Giorgia Meloni dhe qeverinë e saj. Edhe pse ajo kishte theksuar gjatë fushatës se referendumi “nuk është një votë për qeverinë”, në praktikë ai u perceptua si një test i drejtpërdrejtë për mbështetjen ndaj saj.

Humbja e kësaj reforme, një nga shtyllat kryesore të programit të saj dobëson autoritetin politik të qeverisë dhe i jep avantazh opozitës, e cila ishte rreshtuar për “Jo”.

Vetë Meloni ka deklaruar se respekton vendimin e qytetarëve dhe se qeveria do të vazhdojë mandatin, duke përjashtuar dorëheqjen. Megjithatë, figura të opozitës si Matteo Renzi kanë ngritur çështjen e përgjegjësisë politike pas një humbjeje të tillë.

Për çfarë bëhej fjalë në referendum

Referendumi kishte në qendër një reformë të thellë kushtetuese të sistemit të drejtësisë. Ndryshimet kryesore të propozuara ishin:

• Ndarja e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i bërë ato dy rrugë të ndara pa mundësi kalimi nga njëra te tjetra

• Krijimi i dy organeve të veçanta të vetëqeverisjes (CSM) për gjyqtarët dhe prokurorët, në vend të një të vetëm

• Përzgjedhja me short e anëtarëve të CSM, në vend të zgjedhjes direkte

• Krijimi i një gjykate të re disiplinore, që do të merrej me shkeljet e magjistratëve.

Mbështetësit e reformës argumentonin se këto ndryshime do të forconin paanshmërinë e drejtësisë dhe do të reduktonin ndikimin e brendshëm në sistem. Ndërsa kundërshtarët paralajmëronin se reforma rrezikonte të dobësonte pavarësinë e gjyqësorit dhe ekuilibrin mes pushteteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB