“Nuk kemi ardhur të qahemi dhe të ankohemi”/ Dueli me Poloninë, Sylvinho: Muçin dhe Mehmetin i shoh si…
Shqipëria është gati për finalet e play-off-it që të dërgojnë në Botërorin 2026, me testin e parë që do të jetë përballë Polonisë në Varshavë.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka publikuar listën me 26 lojtarët e grumbulluar, ku shihen rikthime, mungesa, por edhe emra të rinj.
Në portë, tekniku brazilian ka zgjedhur të përhershmin Thomas Strakosha, Elhan Kastratin dhe gardianin e Egnatias, Mario Dajsinanin.
Mbrojtja përbëhet nga eksperienca dhe emra të rinj. Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Arlind Ajeti, Adrian Ismajli, Klisman Cake, Mario Mitaj, Naser Aliji dhe dy emrat e rinj në listë, Bujar Pllana dhe Stavro Pilo.
Në mesfushë emrat e përzgjedhur janë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Adrion Pajaziti, Nazmi Gripshi, Jasir Asani, Arbër Hoxha dhe ai që i ka munguar Kombëtares për tre vite, Anis Mehmeti.
Një tjetër rikthim i bujshëm është edhe ai i Ernest Muçit, i cili në sulm ndodhet mes Armando Brojës, Myrto Uzunit dhe Nedim Bajramit.
Spikasin gjithashtu mungesat e Rey Manajt dhe Mirlind Dakut, të cilët nuk arritën dot të ishin pjesë e listës për shkak të dëmtimeve.
Shqipëria do të ndeshet më 26 mars në Varshavë përballë Polonisë, në orën 20:45, sfidë të cilën keni mundësi ta ndiqni drejtpërdrejt në DigitAlb dhe, në rast fitoreje, kuqezinjtë do të luajnë finalen e madhe kundër fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi.

Top Channel