LIVE/ Teherani godet sërish Kuvajtin, vritet zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike, Britania lejon SHBA-në të përdorë bazat e saj, Trump sulmon NATO-n: Frikacakë!
Që nga fillimi i luftës së SHBA-së me Iranin në fund të shkurtit, 232 anëtarë të shërbimit amerikan janë plagosur, shumica e tyre me lëndime të lehta, tha të premten një zyrtar i mbrojtjes amerikane, duke shtuar se më shumë se 200 prej tyre janë rikthyer në detyrë.
Shifra është një përditësim pasi Pentagoni tha javën e kaluar se rreth 140 anëtarë të shërbimit amerikan janë plagosur në luftën me Iranin. Konfliki filloi më 28 shkurt me sulme të përbashkëta nga SHBA-ja dhe Izraeli dhe tani është në javën e tretë. Pentagoni ka thënë më herët se 13 anëtarë të shërbimit amerikan janë vrarë në konflikt.
Bilanci vjen ndërsa Presidenti Trump po shqyrton nëse do të dërgojë trupa tokësore në Iran. Ushtria amerikane ka vazhduar të bombardojë objektivat iraniane të raketave dhe dronëve dhe asetet e marinës së vendit – duke kryer mbi 7,800 sulme që nga fillimi i luftës. Infrastruktura energjetike në Gjirin Persik u vu sërish në shënjestër nga Irani.
Një dron i lëshuar nga ushtria iraniane shpërtheu në një rafineri në Kuvajti, duke shkaktuar një zjarr të fuqishëm. 14 dronë u lëshuan gjithashtu në provincën lindore të Arabisë Saudite, të cilat, u shkatërruan nga mbrojtja ajrore. Katari konfirmoi se 17% e kapacitetit të tij eksportues të gazit është dëmtuar, gjë që pritet të ulë me 4% furnizimin me gaz.
Në Izrael, Irani nisi valën e 66-të të kundërsulmeve. Ushtria tha se përdori 3 lloje raketash dhe dronësh, ndërsa në shënjestër kishte Tel Avivin dhe Jeruzalemin perëndimor. Izraeli ndërkohë vijoi një valë tjetër sulmesh në të paktën 8 qytete apo rajone iraniane.
Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kanë goditur më shumë se 130 objekte infrastrukturore dhe se vazhdojnë të dobësojnë kapacitetet e raketave balistike dhe sistemet e mbrojtjes.
Top Channel