Kriza në Ngushticën Hormuzit, Organizata Ndërkombëtare Detare thirrje urgjente për një korridor të sigurt për anijet tregtare

19/03/2026 18:25

Organizata Ndërkombëtare Detare u ka bërë thirrje vendeve anëtare për krijimin e një korridori të sigurt detar për trafikun tregtar në Ngushticën e Hormuzit, e cila aktualisht është në masë të madhe e bllokuar nga Irani, si reagim ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit.

Deklarata u miratua nga Këshilli i Organizatës Ndërkombëtare Detare gjatë një mbledhjeje emergjente të zhvilluar në Londër, e fokusuar në pasojat e konfliktit në Gjirin Persik.

Dokumenti bazohet edhe në thirrjen e sekretarit të përgjithshëm të organizatës, Arsenio Dominguez, i cili kërkoi masa urgjente për të garantuar sigurinë e lundrimit ndërkombëtar.

Sipas deklaratës, krijimi i një “korridori detar të sigurt” shihet si një masë e përkohshme dhe e domosdoshme për rikthimin e lëvizjes së anijeve tregtare.

Trafiku në këtë rrugë jetike është reduktuar ndjeshëm, nga mbi 1200 kalime në 10 ditët e para të marsit 2025, në vetëm rreth 90 gjatë ditëve të fundit.

Në të njëjtën kohë, Organizata Ndërkombëtare Detare ka kërkuar edhe lehtësimin e evakuimit të sigurt të anijeve të bllokuara në këtë zonë me rrezik të lartë. Sipas të dhënave, aktualisht janë të paktën 3200 anije të ngecura, me mbi 20 mijë marinarë në rrezik.

Mbledhja u shoqërua me tensione, pasi përfaqësuesit e vendeve arabe të Gjirit kritikuan Iranin për zgjerimin e reagimit të tij ndaj interesave të tyre dhe trafikut ndërkombëtar të naftës, gazit dhe mallrave të tjera.

Nga ana tjetër, Irani hodhi poshtë akuzat, duke fajësuar sulmet e SHBA-së dhe Izraelit, si dhe praninë e bazave ushtarake amerikane në vende si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale, dhe çdo bllokim i saj ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë botërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB