Një segment i rrugës “Dervish Shaba” në Mjull Bathore është kthyer në një burim rreziku të përditshëm për banorët e zonës. Ajo që dikur shërbente si një lidhje e rëndësishme për jetën e përditshme, sot po shembet gradualisht, duke e bërë kalimin pothuajse të pamundur.
Pamjet tregojnë një rrugë të ngushtuar ndjeshëm, ku aktualisht mezi kalon një automjet, pasi një pjesë e konsiderueshme e saj ka rrëshqitur. Banorët shprehen se problemi ka disa muaj që është shfaqur dhe situata vetëm sa është përkeqësuar, duke rritur frikën për një aksident të mundshëm.
Sipas tyre, në këtë segment kalojnë shpesh mjete të tonazhit të rëndë, përfshirë betonierë, të cilat mund të kenë ndikuar në dëmtimin e rrugës. Ata theksojnë se çdo ditë përballen me rrezik real, ndërsa institucionet nuk kanë ndërhyrë konkretisht.
Edhe sinjalistika e vendosur për të paralajmëruar rrezikun mungon. Një tabelë që ndalonte qarkullimin është rrëzuar bashkë me masivin e dheut, duke e lënë segmentin pa asnjë paralajmërim për drejtuesit e mjeteve.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Njësisë Administrative Farkë konfirmojnë se rrëshqitja ka ndodhur si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit. Sipas tyre, në terren është konstatuar situata dhe janë marrë masa fillestare, përfshirë vendosjen e sinjalistikës përkatëse. Megjithatë, ata pranojnë se tabela mund të jetë rrëzuar dhe premtojnë verifikime të reja.
Rasti i është përcjellë për shqyrtim emergjent strukturave të Bashkia Tiranë, ndërsa autoritetet pranojnë se dëmtimi i mëtejshëm i rrugës mund të krijojë probleme serioze për banorët.
Edhe drejtori i Emergjencave Civile në Bashkia Tiranë, Dritan Dango, deklaroi se janë marrë masat e para dhe se do të kryhen verifikime të tjera në terren, sidomos pas konstatimit se sinjalistika nuk ishte e dukshme.
Ai bëri të ditur gjithashtu se çështja i është deleguar Institutit Gjeologjik, për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një rrëshqitje të tokës dhe nëse është i nevojshëm një projekt i ri për stabilizimin e rrugës. Sipas tij, përgjigjja nga ekspertët pritet brenda një muaji.
Ndërkohë, deri në një zgjidhje konkrete, banorët e zonës vazhdojnë të jetojnë mes pasigurisë, duke kaluar çdo ditë në një rrugë që po zhduket para syve të tyre.
Top Channel