Bileta drejt çerekfinaleve u “shitën” sonte në Europa League.

Vetëm derbi italian Roma-Bologna mbeti i hapur deri në minutën e fundit të kohës shtesë. Aston Villa bëri punën e vet në shtëpi. Anglezët fituan 2-0 ndaj Lille-s dhe kualifikohen me 3-0 në total, një kalim i qetë dhe i merituar për skuadrën e Birmingham. Edhe Porto nuk la dyshime, 2-0 ndaj Stuttgart-it dhe gjermanët largohen nga kompeticioni ndërsa portugezët vazhdojnë me kokën lart.

Nottingham iu fal serisë së penalltive për të eliminuar Midtylland, me skuadrën angleze që e fitoi ndeshjen e dytë 2-1, ndërkohë që të parën e kishte humbur 0-1. Freiburg, nga ana tjetër, dha shfaqjen më spektakolare të javës. 5-1 ndaj Genk-ut e bëri ta harrojë shpejt humbjen e javës së parë. Pesë gola në shtëpi, një sulm i pagabueshëm.

Lyon u eliminua nga Celta Vigo. Spanjollët fituan 2-0 në Francë dhe e largojnë skuadrën franceze me autoritet. Real Betis shkoi edhe më tej, 4-0 ndaj Panathinaikosit e bëri që diferencën e fituar larg shtëpisë të duket si formalitet. Greket u shembën totalisht në Sevilje.

Ndërkohë, shorti i bërë që në 27 shkurt në Nyon ka caktuar tashmë çiftet e çerekfinaleve. Braga do të përballet me Real Betis-in, Freiburg takohet me Celta Vigon, Porto do të sfidojë Nottingham Forest, ndërkohë që fitorja e mundshme e Romës ose Bolonjës do ta çojë fituesin e derbit italian ndaj Aston Villës.

Ndeshjet e para të çerekfinaleve do të luhen më 9 prill, me kthimin më 16 prill. Finalja do të zhvillohet më 20 maj 2026 në stadiumin Beşiktaş në Stamboll.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB