Çështja e ditës, a po i vjen fundi epokës Guardiola tek Manchester City?!
Dy muaj pasi finalja e Kupës së Kombeve të Afrikës u zhvillua në Rabat, historia u rishkrua sot mbi tavolinë. Konfederata Afrikane e Futbollit i hoqi Senegalit titullin e AFKON 2025 dhe ia “dhuroi” trofeun Marokut, në një vendim të shpallur më 17 mars, duke tronditur futbollin afrikan deri në themel.
Vendimi i Bordit të Apelit të CAF-it erdhi si rezultat i ngjarjeve dramatike që u vunë re në atë finale dhe një gjë e tillë u konsiderua historike për turneun. Gjithçka përfundoi në kaos në fundin e ndeshjes, kur Brahim Diaz i Marokut u rrëzua brenda zonës. Ndërkohë që gjyqtari fillimisht nuk vendosi për penallti, por pas rishikimit në sistemin VAR, rezultoi se ishte penallti.
I tërbuar nga vendimi, trajneri i Senegalit Pape Thiaw urdhëroi lojtarët e tij të braktisnin fushën si shenjë proteste, një akt që do të vuloste fatin e kombit jo në fushë, por në dhomën e drejtësisë sportive. Sadio Mane u përpoq të qetësonte situatën dhe të nxiste shokët e skuadrës të ktheheshin në fushë. “Po na shikon e gjithë Bota. Mund të jetë penallti ose jo, por kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. Ajo që ka rëndësi është respekti ndaj lojës,” tha Mane. Por zëri i veteranit senegalez nuk mjaftoi. Bordi i Apelit vendosi se sjellja e Senegalit kishte shkelur rregulloren e turneut, duke shpallur humbjen teknike sipas nenit 84, dhe me të, Maroku u shpall kampion i Afrikës.
Precedentët historikë: Kur futbolli rishkruhet në tavolinë
Vendimi i CAF-it nuk është i vetmi rast i këtij lloji në histori. Futbolli botëror ka njohur precedentë të rëndësishëm ku rezultate zyrtare janë ndryshuar nëpërmjet procedurave disiplinore dhe njëri prej tyre prek drejtpërdrejt Shqipërinë. Më 14 tetor 2014, në stadiumin e Partizanit në Beograd, Shqipëria dhe Serbia u përballën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2016. Ndeshja u bë e famshme në gjithë botën pasi u braktis pas 42 minutash lojë, ndezur nga hyrja e një droni mbi fushë me një flamur me simbolikë shqiptare. Tifozët serbë kishin hedhur sende dhe flakadanë në fushë. Situata shpërtheu kur lojtari serb Stefan Mitrović rrëzoi flamurin e dronit, duke i tërbuar lojtarët shqiptarë. Bekim Balaj mori flamurin dhe menjëherë pas kësaj erdhi pushtimi i fushës nga tifozë dhe roje, të cilët sulmuan fizikisht disa lojtarë të Shqipërisë, katër prej të cilëve pësuan lëndime.
Vendimi i parë i UEFA-s ishte paradoksal: Trupi Disiplinor i UEFA-s shpalli ndeshjen të braktisur dhe vendosi që Shqipëria ta humbiste me rezultatin 0-3 në tavolinë, ndërsa Serbisë iu zbritën tre pikë nga klasifikimi dhe u detyrua të luante dy ndeshjet e ardhshme shtëpi pa tifozë. Të dyja federatat u gjobën me nga 100,000 euro.
Por historia nuk mbaroi këtu. Të dyja federatat apeluan, dhe organi i Apelit i UEFA-s mbajti vendimin fillestar. Shqipëria refuzoi të ndalej dhe çoi çështjen deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Aty, CAS e ktheu vendimin krejtësisht: ndeshja iu dha Shqipërisë me rezultatin 3-0 dhe Serbisë iu zbritën tre pikë. Ky vendim u bë precedent historik në të drejtën sportive, duke treguar se saktësia juridike mund të ndryshojë fatin sportiv të një kombëtareje. Tre pikët e fituara nga CAS ishin vendimtare, Shqipëria u kualifikua për herë të parë në historinë e saj në një Kampionat Evropian, duke kaluar Danimarkën që mblodhi 12 pikë dhe mbeti jashtë.
Rasti Shqipëri-Serbi është ndoshta paralela më e afërt me atë çfarë i ndodhi Senegalit: dy skuadra, dy reagime të nxehta brenda fushës, dhe një rezultat i rishkruar plotësisht nëpërmjet procedurave juridike-sportive. Dallimi i vetëm i rëndësishëm qëndron në faktin se rasti shqiptar u zgjidh brenda fazës kualifikuese, ndërsa vendimi i CAF-it prek finalen e një turneu continental duke e bërë pasojën edhe më dramatike.
Precedentë të tjerë jashtë Afrikës dhe Evropës plotësojnë këtë tablonë historike. Brenda familjes afrikane, klubi egjiptian Ismaily u skualifikua nga Liga e Kampionëve të CAF-it në vitin 2019, pasi tifozët e tij hodhën objekte mbi gjyqtarin ndihmës dhe lojtarët e Club Africain gjatë një ndeshje të fazës së grupeve. Edhe ky rast, ndonëse me epilog të ndryshëm pas apelit, konfirmoi se CAF nuk ngurron të ndërhyjë me masa ekstreme kur disiplina cenohet.
Si shpjegohet vendimi dhe pse erdhi kaq vonë?
Vonesa prej dy muajsh pasqyroi kompleksitetin procedural. Fillimisht, Bordi Disiplinor i CAF-it kishte dhënë sanksione më të lehta ndaj Senegalit. Pas vendimit fillestar, Federata Mbretërore Marokane e Futbollit ushtroi apel, dhe Bordi i Apelit vendosi se sjellja e Senegalit kishte shkelur rregulloren e turneut, duke aplikuar nenin 84 për braktisjen e fushës dhe duke shpallur humbjen teknike 0-3. Kodi disiplinor ishte i qartë dhe precedentët, nga Beogradi në Kairo, i jepnin CAF-it jurisprudencën e nevojshme për të vepruar.
Reagimet: Tërmeti që priste futbolli afrikan
Ky vendim ndryshoi plotësisht fatin e turneut dhe ia dorëzoi zyrtarisht trofeun kontinental Marokut, duke shkaktuar reagime të gjera nga tifozët, palët e interesuara dhe autoritetet e futbollit, veçanërisht brenda Senegalit. Ai gjithashtu nënvizoi një mesazh të qartë: drejtësia sportive nuk ka afat skadence, dhe braktisja e fushës sado e nxitur nga emocionet mbart gjithmonë koston e vet.
Marokun e pret tani një festim me vonesë, por jo pa hidhërim ngaqë trofeu erdhi jo nga fushë e lojës, por nga dhoma e drejtësisë sportive. Senegalit i mbetet të marrë leksionin: ashtu si Shqipëria e kuptoi në Beograd se fushata e apelit mund të kthejë humbjen, edhe Senegali po mëson sot se protestat brenda fushës kanë rregullat e tyre dhe pasojat, gjithmonë vijnë.
Top Channel