E ardhmja e Pep Guardiolës si trajner i Manchester Cityt është rikthyer në qendër të vëmendjes, pavarësisht faktit se kontrata e tij është deri në qershor 2027.

Diskutimet po nxehen, veçanërisht në dritën e një sezoni të vështirë në Premier League dhe Ligën e Kampionëve të UEFA-s, me shumë njerëz që vlerësojnë se cikli i trajnerit katalanas mund të jetë duke ardhur drejt fundit.

Midis tyre është Felix Kroos, vëllai i legjendës së Real Madridit, Toni Kroos. Duke folur për podkastin “Einfach Luppen” ish-futbollisti gjerman pohoi se sheh shenja të qarta ndryshimi në sjelljen e Guardiolës. “E shoh krejtësisht ndryshe tani. Ai është aty, por i lë gjërat të rrjedhin. Më parë, ai ishte vazhdimisht në lëvizje, duke dhënë udhëzime, duke jetuar çdo fazë me intensitet”, komentoi ai, duke sugjeruar se prania dinamike e spanjollit në stol ka ndryshuar ndjeshëm.

Felix Kroos madje shkoi një hap më tej, duke shprehur ndjesinë se një epokë e tërë po i vjen fundi: “Ndoshta është e lehtë ta thuash nga komoditeti i një ekrani, por më parë fotografia ishte ndryshe. Ka një gravitet rreth Cityt, sikur një cikël i madh po mbyllet. Mendoj se epoka e Pepit po i vjen fundi.”

Megjithatë, perspektiva e vëllait të tij është e ndryshme. Toni Kroos u shfaq më i kujdesshëm, duke theksuar se është e parakohshme të nxirren përfundime tani: “Nuk e di nëse duhet të gjykojmë kaq shpejt. Pep është mësuar me një City tjetër pas kaq shumë vitesh suksesi.” Mesfushori gjerman, i cili punoi me Guardiolën te Bayern Munich, e bëri të qartë se vendimi përfundimtar i përket ekskluzivisht vetë trajnerit: “Sfida e rinovimit dhe transformimit të një ekipi mund të jetë një motivues i fortë. Ai do të vendosë se kur dhe si dëshiron të vazhdojë .”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB