Java e 29 e Serie A mbyllet me fitoren e thellë të Fiorentinës ndaj Cremoneses në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 4-1, një sukses ky shumë i rëndësishëm për mbijetesën në elitën e futbollit italian të skuadrës violë.

Në stadiumin Zini sfida nisi me një homazh për Davide Astori dhe më pas i erdhi radha futbollit të luajtur. Fiorentina zhbllokoi rezultatin në minutën e 25 me Parisin që me një gjuajtje në diagonal mposhti portierin Audero i cili u mashtrua edhe nga një devijim i lehtë i Florianit. Një gol ky që shtoi entuziazmin te skuadra violë që në minutën e 31 shënoi edhe golin e dytë me Piccoli që shfrytëzoi asistin e Gosens. Golin më të bukur të ndeshjes e shënoi Dodò në minutën e 49, braziliani bëri një vrapim për më shumë se 30 m, kaloi Florianin dhe më pas evitoi Maleh e Auderon për të dërguar topin në rrjetë për të çuar rezultatin në 3-0.

Pavarësisht 3 golave të pësuara, Cremonese tenton që të mos heqë dorë dhe në minutën e 57 gjeti forcën për të shkurtuar diferencën në 3-1 me Okereke pas një asisti të Ceccherinit. Fiorentina rrezikoi të pësojë edhe një gol tjetër përpara se të fiksonte rezultatin 4-1 me golin e Gudmundsson në minutën e 70. Pas kësaj fitoreje, Fiorentina shkon në 28 pikë dhe tani është 4 pikë para zonës së rënies nga kategoria, ndërsa Cremonese mbetet me 24 pikë në vendin e 18 me trajnerin Nicola që rrezikon shkarkimin me Giampaolin dhe Gottin që shihen si pasuesit e tij të mundshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB