Maxhoranca ka rrëzuar me 82 vota kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Maxhoranca në raportin e saj argumentoi se pas largimit nga posti qeveritar, për Ballukun nuk qëndrojnë më pretendimet e SPAK-ut.
Në procesin e votimit ra në sy mungesa e deputetëve Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafaj si dhe ministrit Blendi Gonxhe.
Jashtë godinës së Kuvendit, opozita protestoi për më pak se dy orë dhe protestuesit u larguan pas një fjalimi të shkurtër të kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
Demokratët njoftuan protestën e ardhshme në 22 mars.
Përditësimet LIVE, 12 mars
Është mbajtur sot seanca plenare, ku në rendin e ditës ishte dhe votimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Ndërsa në Kuvend mbahej seanca, jashtë tij zhvillohej proteste nga Partia Demokratike.
12:00 Rrëzimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, reagon Ambasada Gjermane
Ambasada e gjermane në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Në një reagim zyrtar, Ambasada gjermane shprehet se kusht i domosdoshëm për të bërë progres drejt rrugës së Shqipërisë në BE, është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë.
11:44 Berisha njofton protestën e radhës: Më 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë
Në mbyllje të protestës para Parlamentit, kreu i partisë Demokratike, Sali Berisha lajmëroi tubimin e radhës.
Protesta e radhës do të jetë më 22 mars, ndërsa Berisha u bëri thirrje qytetarëve të dalin në rrugë.
11:39 Mbyllet protesta e PD fill pas seancës, Berisha mesazh mbështetësve: U futët tmerrin
Është mbyllur protesta e PD jashtë Kuvendit, menjëherë pas mbylljes së seancës plenare ku u votua kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Berisha u është drejtuar protestuesve me një fjalim të shkurtër, ku u tha se “i kanë futur tmerrin qeverisë” dhe i falënderoi që morën pjesë, duke thënë se do të vazhdojnë me protestat, dhe se radhës do të mbahet më 22 mars.
Pas mbylljes së seancës plenare ku u votua kundër kërkesës së SPAK për të arrestuar Belinda Ballukut, jashtë ambienteve të Kuvendit situata u tensionua pas protestuesit tentuan që të thyejnë kordonin e policisë.
11:21 Rrëzimi i kërkesës së SPAK/ Tensione në Kuvend, deputetët e PD bllokojnë foltoren
Rrëzohet kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut, pasi nuk iu hoq imuniteti i deputetes.
Deputetët e PD protestuan vendimin duke bllokuar foltoren, goditur tavolinat me pankarta dhe duke krijuar zhurmë.
Me 82 vota kundër është rrëzuar kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Pro kësaj kërkese votuan 47 deputetë, ndërsa prezentë ishin 128 deputetë.
Nisja e sotme e seancës plenare ka filluar me leximin e raportit të përgatitur nga opozita dhe mazhoranca, në përgjigje të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, dhe rrjedhimisht hapjes rrugë për arrestimin e saj.
Kryeministri Edi Rama gjatë kohës së leximit të raportit të PD, është larguar nga salla, për t’u rikthyer në momentin që nisi leximi i raportit të PS.
Ulsi Manja, si anëtarë i PS në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, ka lexuar raportin e socialistëve ku shprehen kundër kërkesës së SPAK për dhënie autorizimi për arrestimin e Belinda Ballukut.
10:39 FOTOLAJM/ Seanca plenare në Kuvend, gardisti qëndron pranë Taulant Ballës
Ndërsa në sallë po zhvillohet seanca, jashtë ambienteve të Kuvendit po mbahet protestë e thirrur nga PD.
Ndërkohë një detaj që është vënë re në sallë, është prania e një gardisti në reshtin ku qëndron Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar i PS.
10:23 Seanca për kërkesën e SPAK, mungojnë Spiropali dhe Xhafaj. Në Kuvend nuk shkon as Balluku
Parlamenti do të votojë sot lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në seancën që ka nisur në orën 10:00, bie në sy mungesa e ish ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, e shkarkuar nga kjo detyrë javën e kaluar së bashku me Belinda Ballukun.
Oerd Bylykbashi, si anëtar i këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve nga opozita, ka lexuar sot në sallën e Kuvendit raportin e hartuar nga PD për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
09:51 Pak minuta para nisjes së protestës, Berisha dhe mbështetësit i drejtohen Parlamentit
Na ndajnë pak minuta para nisjes së protestës së opozitës në Tiranë.
Kreu i PD, Sali Berisha, së bashku me deputetët dhe mbështetësit demokratë po i drejtohen Parlamentit.
Gazetarja e Top Channel, Elda Menga raporton se deputetët e Partisë Demokratike janë duke u mbledhur në selinë blu.
Pas tyre ka mbërritur dhe kryedemokrati, Sali Berisha, i cili është pritur me brohoritjen e mbështetësve, duke thënë ‘ja këta janë përfaqësuesit e shqiptarëve’.
Kuvendi pritet të vendosë sot lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, ndërsa ka reaguar edhe Ambasada Britanike në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit, duke nënvizuar se imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, por nuk duhet të shndërrohet në pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.
09:15 Pak minuta para nisjes së seancës për Ballukun, 1500 efektive rrethojnë Parlamenti
Pak minuta para nisjes së seancës plenare në Kuvend dhe njëkohësisht protestës së Partisë Demokratike, Parlamenti është ‘blinduar’ nga forcat policore.
Përditësimet LIVE, 11 mars
21:54 Seanca për Ballukun, socialistët i paraprijnë me mbledhje grupi në Parlament
Pak minuta më parë deputetët socialist kanë marrë një mesazh nga kryetari i grupit Taulant Balla për seancën e nesërme në parlament, ku do të votohen dy raportet për ish zëvendës-kryeministren Belinda Ballukun.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë në lidhje me protestën e planifikuar nga Partia Demokratike ditën e nesërme më 12 mars, përpara Kuvendit.
Pak orë para seancës plenare, kur demokratët do të protestojnë brenda dhe jashtë sallës së seancave plenare, Parlamenti ka kaluar në masa të përforcuara të sigurisë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës për gazetarët, foli për protestën e nesërme, që do të mbahet në orën 10:00.
Sipas kryedemokratit dita e nesërme do të shënojë një etapë të re vendimtare për vendin, ndërsa shtoi se ‘opozita do të udhëheqë kryengritjen paqësore që do të rrëzojë regjimin’.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi ishte i ftuar në “Shqipëria Live” në Top Channel, ku foli për seancën e nesërme, çështjen e Belinda Ballukut, si dhe protestën e PD.
Socialisti komentoi çështjen e Ballukut, ku tha se ndaj saj s’ka asnjë akuzë për korrupsion, ndërsa shtoi se PS nuk ka penguar hetimin ndaj saj.
Top Channel