Superliga shqiptare e sezonit 2025-2026 po hyn në historinë e futbollit vendas për arsye të gabuara. Kurrë më parë disa klube të së njëjtit kampionat, nuk kanë ndryshuar gjithsej dhjetë trajnerë brenda të njëjtit sezon. Dhe kampionati ka akoma nëntë javë për të luajtur.

Rekordi i zi i këtij sezoni i përket KF Tiranës. Bardheblutë kanë kaluar nëpër katër trajnerë; Vangjel Mile u largua pas vetëm dy raundesh, Roberto Bordin pas humbjes katastrofike 1-4 me Elbasanin, Ardian Nuhiu pas tre humbjesh radhazi, dhe tani stolin e zë Orges Shehi si i katërti. Katër trajnerë në një sezon është rekord absolut negativ për futbollin shqiptar.

Flamurtari, i rikthyer në elitë pas pesë vjetësh mungesë, ka bërë tre trajnerë. Spanjolli Carlos Garcia Badias u largua me ekipin në fund të tabelës dhe vetëm dy pikë në xhep. Erdhi italiani Francesco Moriero më 8 tetor, por edhe ai u largua zyrtarisht sot, duke lënë në krye të pankinës Andi Ribaj. Kuqezinjtë janë aktualisht të parafundit në kampionat me 24 pikë pas 27 javësh.

Partizani gjithashtu fillloi sezonin me shumë luhatje, nga Gega, tek Milinkovic dhe më në fund prej dicka më tepër se 5 muaj Oltion Kërnaja dhe gjërat po funksionojnë krejt ndryshe…të paktën sezoni po shkon jo vetëm drejt përmirësimit por edhe me synimet për Europë.

Ndërkohë, klubi që qëndron krenar në krye të tabelës me 51 pikë është pikërisht ai që nuk ka prekur stolin teknik asnjëherë gjatë sezonit — Vllaznia me Edi Martinin. Elbasani i dyti me 49 pikë vazhdon projektin nën drejtimin e serbit Ivan Gvozdenoviç, Egnatia e treta me 46 pikë ka ruajtur po ashtu Edlir Tetovën nga e para deri sot. Mesazhi është i qartë: stabiliteti sjell rezultate, instabiliteti sjell vetëm rekorde negative.

Dinamo, Teuta, Bylisi dhe Vora janë skuadrat e tjera të Superiores që nuk kanë ndryshuar trajner, Daja, Dobi, Josa dhe Bellai janë të njëjtët me këto skuadra që mbeten të paktën në garë dhe me shpresë, për të arritur objektivat personale, nga Final Four, pra kupat e Europës apo edhe ekipe që synonin dhe ende kanë shpresa për mbijetesën.

Dhjetë ndryshime trajnerësh, 3 klube, një sezon i vetëm. Superliga shqiptare 2025-2026 do të kujtohet jo vetëm për garat në krye, por edhe për karikaturën e menaxhimit te fundit të tabelës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB