Një dopietë e Mercedes në Çmimin e Madh të Australisë, ku George Russell fitoi garën përpara shokut të skuadrës Andrea Kimi Antonelli, në fund të një gare të zhvilluar në Albert Park Circuit në Melbourne.

Megjithatë, në xhirot e para protagoniste ishte Ferrari me Charles Leclerc, i cili mori menjëherë kryesimin pas fikjes së semaforit të kuq, duke përfituar nga starti jo perfekt i dy makinave të Mercedes. Piloti nga Monako zhvilloi një duel interesant me Russell në xhirot e para, por strategjia e garës ndryshoi situatën.

Russell dhe Antonelli morën dy vendet e para pasi përfituan nga makina virtuale e sigurisë e shkaktuar nga problemi i Isack Hadjar për të kryer pit stop-in.

Ndërkohë Ferrari vendosi të mos ndryshojë strategjinë dhe bëri ndalesën më vonë, në kushte gare normale. Kur u aktivizua makina virtuale e dytë e sigurisë – pas incidentit të Valtteri Bottas – pit lane ishte e mbyllur për shkak të makinës së ndalur të pilotit finlandez.

Në fund, Russell fitoi garën me rreth tre sekonda avantazh ndaj Antonellit. Për britanikun kjo është fitorja e gjashtë në karrierë në Formula 1 dhe gjithashtu hera e parë që merr kryesimin e renditjes së përgjithshme të kampionatit.

Leclerc arriti të ngjitet në podium në vendin e tretë, ndërsa pas tij u rendit shoku i skuadrës Lewis Hamilton. Kampioni i botës Lando Norris nuk shkoi më shumë se vendi i pestë me një McLaren jo shumë konkurruese.

Garë për t’u harruar për idhullin vendas Oscar Piastri, i cili u përplas me murin gjatë xhiros së formimit dhe nuk mori startin. Në vendin e gjashtë përfundoi Max Verstappen, që kishte nisur nga fundi i renditjes.

Top 10 u plotësua nga Oliver Bearman me Haas në vendin e shtatë, debutuesi Arvid Lindblad me Racing Bull në të tetin, Gabriel Bortoleto që siguroi pikët e para për Audi dhe Pierre Gasly me Alpine në vendin e dhjetë.

Gara e radhës do të jetë pas një jave në Kinë dhe do të keni mundësinë ta ndiqni drejtpërsëdrejti në DigitAlb.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB