Derbi i Milanos i kësaj të diele mund të thotë shumë për këtë kampionat; me +13 pikë(por edhe me +10 pikë në rast barazimi), Inter do ta kishte akoma më të lehtë rrugën drejt titullit, me +7 pikë, situata e Milanit do të mbetej e komplikuar, por shtysa emocionale e derbit të qytetut dhe precedentët e vitit të kaluar dhe të 2022, mund t’iu dhurojnë shpresa të reja kuqezinjve.

Është prova e 7-ës; të dyja skuadrat vijnë në këtë takim pasi në kohë të ndryshme kanë përjetuar 6 derbi për t’u vënë në kornizë. Nëse Interi deri në 22 prill(derbi i titullit të 20) mund të mburrej me një të kaluar të dominimit absolut me 6 fitore radhazi ndaj kuqezinjve, Milani kohët e fundit diti të përmbysë inercinë dhe vjen në derbin numër 246 të historisë  me një bilanc 4 fitore dhe 2 barazimi në 6 ndeshjet e fundit direkte.

Një ekuilibër i hollë që mbështetet në një bazë historike shumë të thellë. Bilanci në të gjitha kompeticionet flet për 91 fitore zikaltër, 83 të Milanit dhhe 71 barazime(në Serie A janë 205 ndeshje derby; 78 fitore Inter, 67 Milan dhe 60 barazime)

Muri i Allegrit kundër makinës së Chivu. Milani vjen në në këtë ndeshje i shkëputur 10 pikë nga kryesuesit, por me vetëdijen e dikujt që di si të lëndojë të mëdhenjtë. Skema 3-5-2 e Allegrit është një himn për pragmatizmin; një skuadër solide, e aftë të ruajë pathyeshmërinë ndaj Interit, Napolit dhe Romës. Kuqezinjtë deri në këtë moment kanë pësuar vetëm 20 gola, vetëm 1 gol më pak se Interi. Në sulm dyshja e formuar nga Leao, shënuesi më i mirë me 9 gola dhe Pulisic do të kërkojë të bëjë dëm si në ndeshjen e fazës së parë.

Inter; rekordi në transfertë dhe ‘helmi’ nga topat e goditjeve standarde. Në krahun tjetër, Interi i Chivut ecën me ritme të çmendura. Shifrat tregojnë për një skuadër që dominon fushën; është ajo që ka më shumë portën me 501 tentatiave edhe pse sulmi është në emergjencë për shkak dëmtimesh dhe pëson më pak gjuajtje të tilla, 219. Vetëm Barcelona nga 5 kampionatet më të rëndësishme ka një diferencë më të madhe se Interi mes gjuajtjeve të bëra dhe atyre të pësuar. Por rreziku më i madh për mbrojtjen e Allegrit vjen nga loja e ndalur. Interi është i frikshëm në goditjet standarde me 21 gola të shënuar në total, nga të cilat 15 i ka shënuar me goditje këndi duke kryesuar të gjithë Serie A. Ndërsa Milani është skuadra që në përqindje ka numrin më të lartë të golave të pësuar nga goditjet standarde; 10 nga 20 në total, saktësisht 50%.

Çfarë duhet të presim këtë të dielë? Do të jetë një lojë shahu. Nga njëra anë është Milani i rinuar nga fitorja në castet e fundit me Cremonese dhe i aftë të kryejë manovra të  disiplinuara dhe kundërsulme rrufe, nga ana tjetër është Interi që di të godasë me rrjetat e pasimeve por edhe me gjuajtjet e forta nga distanca duke qenë se është ‘mbreti’ i golave të shënuar nga jashtë zone. Pra, kush do ta fitojë ‘Betejën e 7-ës’?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB