Rëndohet bilanci i aksidentit tragjik në Itali, ndërron jetë edhe shoferi shqiptar pas përplasjes me kamionin

07/03/2026 18:22

Është rënduar bilanci i aksidentit tragjik të ndodhur në Siçili, pasi ka ndërruar jetë edhe drejtuesi i automjetit që u përplas me një kamion të ngarkuar me fruta dhe perime pak ditë më parë.

Pas katër ditësh në gjendje kritike në spital, Tili Pilinci, 39 vjeç, ka humbur jetën në spitalin “Villa Sofia” në Palermo, duke e çuar në dy numrin e viktimave.

Në momentin e përplasjes fatale, që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, humbi jetën Flori Topalli, 24 vjeç, i cili ndodhej në të njëjtin automjet.

Sipas mediave italiane, 39-vjeçari u transportua fillimisht në spitalin “Barone Lombardo” në Canicattì, por për shkak të gjendjes shumë të rëndë u transferua më pas në reanimacionin e spitalit “Villa Sofia” në Palermo, ku mjekët luftuan për ta mbajtur në jetë për katër ditë. Megjithatë, plagët e rënda rezultuan fatale.

Dy viktimat, me origjinë shqiptare, jetonin në zonën e Canicattì dhe Naro dhe punonin si punëtorë sezonalë në bujqësi.  Mëngjesin e aksidentit ata po udhëtonin drejt vendit të punës kur automjeti me të cilin lëviznin u përplas me një kamion që transportonte fruta dhe perime.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit të rëndë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB