Në qytetin historik të Prizrenit, muaji i Ramazanit shoqërohet edhe me një traditë të veçantë kulinare që ruhet prej brezash.

Pitajkat e Prizrenit përgatiten çdo mbrëmje për iftar, duke u bërë pjesë e pandashme e sofrës për shumë familje të qytetit.

Prizreni, i njohur për historinë dhe xhamitë e tij të vjetra, gjatë muajit të Ramazanit tërheq edhe vizitorë e turistë të shumtë. Por krahas atmosferës së qytetit historik, në lagjet e tij ruhet edhe një traditë e veçantë që lidhet me sofrën e iftarit.

Bëhet fjalë për pitajkat e Prizrenit. Rreth dy orë para iftarit, qytetarët përgatisin në shtëpi harxhin dhe e dërgojnë në furrat e lagjeve. Furrtarët përgatisin brumin dhe bashkë me përbërësit e sjellë nga familjet pjekin pitajkat që më pas do të shtrohen në sofrën e iftarit.

Furrtari Haxhi Hoda thotë se kjo traditë vazhdon prej shumë dekadash dhe mbetet një nga zakonet më të dashura për qytetarët e Prizrenit. Prej më shumë se 40 vitesh ai punon në këtë profesion, të cilin e ka trashëguar nga babai, duke vazhduar punën në një nga furrat më të vjetra të qytetit.

Qytetarët thonë se pitajkat janë pjesë e pandashme e sofrës së iftarit dhe një traditë që i bashkon familjet gjatë Ramazanit.

Sipas tyre, kjo traditë praktikohet prej kohësh në Prizren dhe ruhet me krenari nga brezi në brez.

Mes historisë, kulturës dhe besimit, edhe tradita e pitajkës vazhdon të jetë pjesë e identitetit të Prizrenit, duke e bërë sofrën e iftarit edhe më të veçantë për shumë familje të qytetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB