Institucionet burokrate me punonjës përtace zvarrisnin ndërhyrjen te pallati në Fresk, Fiks Fare i vë në lëvizje

05/03/2026 20:48

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një problematikë në zonën e Freskut në Tiranë, ku institucionet dhe punonjësit e tyre përtacë dhe burokratë vetëm sa kërkojnë letra dhe nuk shkonin për të parë shembjen e një kodre që rrezikonte godinën apo edhe një kabinë elektrike.

Madje, që prej datës 20 shkurt 2026, 3 kabuj të tensionit të lartë ishin në tokë dhe një pjesë të mbuluar nga dheu i rënë, duke u bërë rrezik i lartë për banorët dhe fëmijët e pallatit, që luanin në oborr.

Prej gati 2 javësh, administratori Rasim Fusha ka kontaktuar çdo institucion të ndryshëm, Njësinë Administrative, Emergjencat Civile dhe Drejtorinë e Pastrimit në Bashkinë e Tiranës. Madje, një banor i zonës bëri edhe ankesë zyrtare te Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, por asnjë prej këtyre punonjësve nuk shkoi për të parë gjendjen apo për të marrë masat. Madje, ata i rekomandonin administratorit dhe banorëve që të ndërhynin vetë për të hequr dheun e rënë, pavarësisht se nën dhe ishin 3 kabuj të energjisë elektrike.

Ky është një rast që burokratët e zyrave vetë duan letra, teksa zvarritja e të gjithë procedurës dhe ndërhyrjes mund të ishte fatale. “Rreziku është i vazhdueshëm dhe veçanërisht shqetësues për fëmijët e pallatit, të cilët frekuentojnë ambientet përreth. Edhe pse janë njoftuar të gjitha strukturat përkatëse, deri në këtë moment nuk është marrë asnjë masë konkrete për stabilizimin e situatës dhe hapjen e rrugës” tha Rasimi.

Fiksi filmon vendin, ku kishte shembje në një anë të kodrës. Masive të mëdha shtufi kanë prishur murin mbrojtës dhe kanë shkuar te muri i pallatit. Në vendin ku ka ndodhur shembja ka edhe një kabinë elektrike, që e bën të pamundur ndërhyrjen e vetë banorëve. Rasimi thotë se ka kontaktuar me drejtorin e emergjencave në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, po s’ka marrë asnjë masë. Ai thotë se banoret kanë bërë kërkesë edhe në OSHEE për 3 kabujt nëntokë dhe për kabinën elektrike, por s’kanë marrë asnjë masë.

Gazetarët e Fiks Fare kontaktojnë me drejtorin e Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango. Ai thotë se ka kontaktuar me banorët dhe në veçanti me administratorin, por s’kanë sjellë shkresë. Fiksi i thotë se deri tani Emergjencat apo vetë strukturat e bashkisë s’kanë marrë masa, teksa ai këmbëngul se do shkresë. Fiksi i kërkon që ai drejtor të dërgojë një grup për t’a verifikuar, pasi ka rënë shpati i malit, rrezikon pallatin, kabinën elektrike e gjithçka tjetër. Ai thotë se Emergjencat kështu veprojnë, teksa gazetari dhe drejtori debatojnë, për shkak se për këto raste shkresat janë të kota dhe vendngjarja duhet të shihet nga afër.

Pas disa minutash, ai thotë se do të veprojnë do të sjellin punonjësit për t’a parë, por do duhet kohë për të ndërhyrë pasi ka studime, analiza gjeologjike, dhe nëse do mbrojtje, duhet investim. Ai shton se, deri në kontaktin me Fiks Fare, s’kishte marrë asnjë shkresë nga administratori apo edhe nga punonjësi, teksa këmbënguli që pastrimin t’a bëjnë vetë banorët. Gazetarët kontaktojnë edhe me një punonjës të Njësisë Administrative Nr.14 në Fresk, i cili thotë se i ka dërguar një shkresë Emergjencave. Fiksi e pyet për detaje, por ai më pas mbyll telefonin.

Pas këtyre sorollatjeve, Fiksi kontakton me OSHEE, duke qenë se shembja rrezikon kabinën dhe ka zënë 3 kabuj. Ndryshe nga punonjësit e bashkisë, OSHEE dërgon në vend 2 grupe punonjësish, të cilët bëjnë menjëherë punime dhe presin dhe një pemë që kishte rrëshqitur dhe ishte rrezik për shembjen.

Rasimi thotë se kishte mbi 2 javë që kë s’kishte marrë për ndërhyrje dhe asnjë institucion s’kishte marrë masa. “Falënderoj Fiks Fare se vuri në lëvizje dhe erdhën për të marrë masa. Erdhi OSHEE dhe më thanë se do të vijnë edhe ata te DPN 2, për t’a pastruar. Faleminderit edhe njëherë” përfundon Rasimi, teksa na dërgon edhe një video ku duket se punonjësit e bashkisë kanë shkuar, kanë vendosur shirita rreziku, kanë prerë pemën si dhe kanë sistemuar një pjesë të shpatit.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB