Mesfushori italian, Giacomo Bonaventura, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist.

Në moshën 36-vjeçare, ish-lojtari i Atalantës, Milanit dhe Fiorentinës njoftoi tërheqjen pas eksperiencës së fundit me Al‑Shabab FC në Saudi Pro League. Vendimi u bë publik në rrjetet sociale, ku Bonaventura shpjegoi se nuk ndien më të njëjtin pasion që e kishte shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij. Kështu përfundon një rrugëtim i gjatë pothuajse dy dekada, gjatë të cilit ai u konsiderua një nga mesfushorët më të besueshëm të futbollit italian.

I lindur më 22 gusht 1989 në San Severino Marche, Bonaventura u formua në akademinë e Atalantës. Pas huazimeve te Pergocrema dhe Padova, ai u afirmua përfundimisht me skuadrën nga Bergamo, duke kontribuar edhe në ngjitjen në Serie A në sezonin 2010-2011.

Në vitin 2014 ai u transferua te Milani, ku kaloi periudhën më të rëndësishme të karrierës dhe u bë një pikë referimi në mesfushë falë aftësisë për të luajtur si ‘mezzala’ apo si trekuartist. Në vitin 2020 kaloi te Fiorentina, ku riktheu vazhdimësinë në lojë, përpara se të mbyllte karrierën me një aventurë në Arabinë Saudite.

Bonaventura largohet nga futbolli me mbi 500 ndeshje në karrierë, prej të cilave 380 në Serie A, duke shënuar më shumë se 90 gola dhe duke regjistruar 18 paraqitje me Italinë. Në palmaresin e tij spikasin titulli i Serie B në sezonin 2010-2011 me Atalantën dhe triumfi në Superkupën e Italisë në vitin 2016 me Milanin.

Mesfushori teknik dhe inteligjent taktikisht do të mbahet mend si një lojtar i qëndrueshëm, i aftë të kombinonte cilësinë në fazën sulmuese me balancën në mesfushë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB