Maroku mbeti 1 penallti larg lavdisë në Kupën e Afrikës dhe pak javë më vonë trajneri i kombëtares së këtij vendi largohet nga posti i tij. Walid Regragui vendosi të lërë detyrën e tij në pankinën e përfaqësueses marokene pas humbjes në finale me Senegalin.

Ajo ndeshje e polemizuar e përjetuar në Rabat në muajin janar vazhdon të lërë shenja dhe pas sanksioneve të vendosura nga Konfederata Afrikane e Futbollit, Maroku do të duhet të nisë  gjithçka nga e para.

Ishte vetë trajneri Regragui ai që konfirmoi largimin e tij nga pankina e përfaqësueses marokene në një postim të tij në rrjetin social Instagram. ‘Gjithnjë Maroku. Zoti, Vendi, Mbreti. Faleminderit-shkruante trajneri në postimin e tij që shoqëronte një videomesazh

ëalid Regragui, që e drejtoi Marokun drejt gjysmëfinales historike në Botërorin e Katarit në 2022, e la drejtimin e kësaj kombëtareje, 100 ditë përpara fillimit të Kupës së Botës së këtij viti me Marokun që është në Grupin C të kompeticionit së bashku me Brazilin, Haitin dhe Skocinë.

Regragui e drejtoi Marokun në 49 ndeshje, një aventurë që nisi në 2022 dhe që u mbyll 4 vjet më vonë dhe me një bilanc 36 fitore, 8 barazime dhe vetëm 5 humbje. Ai që do të marrë drejtimin e Marokut në vend të ëalid Regragui do të jetë Mohamed Ouahbi, trajneri që drejtoi skuadrën U20 të vendit afrikan drejt titullit botëror për 20 vjeçarët. Trajneri belg, por me origjinë marokene do të ketë në stafin e tij Joao Sacramento dhe Youssiuf Hadji si asistentë të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB