Gjermania akuzon Rudiger: Nuk e kontrollon veten, nuk mund të shkojë në Botëror
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se “nuk i intereson fare” nëse Irani do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, mes tensioneve të forta pas sulmeve ushtarake amerikane dhe izraelite ndaj territorit iranian.
Në një intervistë për POLITICO, Trump u shpreh: “Nuk më intereson nëse Irani merr pjesë. Mendoj se Irani është një vend i mundur keq. Janë në fund të forcave të tyre.”
Irani ishte skuadra e parë që siguroi kualifikimin për Botërorin 2026, por mungoi në një takim organizativ të thirrur nga FIFA këtë javë në Atlanta. Mungesa e delegacionit iranian ka ngritur pikëpyetje nëse Teherani do të dërgojë ekipin në turneun që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut, ndërkohë që konflikti rajonal është përshkallëzuar.
Sipas kalendarit aktual, Irani pritet të luajë ndaj Zelandës së Re më 15 qershor, në Los Anxhelos, ndaj Belgjikës, më 21 qershor, po në Los Anxhelos, dhe kundër Egjiptit, më 26 qershor, në Seattle. Ekziston edhe mundësia e një përballjeje direkte me SHBA-në në fazën me eliminim direkt, nëse të dyja skuadrat përfundojnë të dytat në grupet respektive.
Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka deklaruar se pas sulmeve “nuk mund të pritet që ta shohim Botërorin me shpresë”, duke lënë të hapur mundësinë e një tërheqjeje.
Ndërkohë, çështja e vizave mbetet delikate. Irani është pjesë e listës së ndalimeve më të rrepta të udhëtimit të vendosura nga administrata Trump, edhe pse ekipet pjesëmarrëse në Botëror përjashtohen nga ndalimi. Vendimet për zyrtarët apo tifozët merren rast pas rasti nga Departamenti i Shtetit.
Drejtori i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Botërorin, Andrew Giuliani, theksoi se siguria do të jetë prioriteti kryesor: “Duam një Kupë Bote të sigurt dhe të mbrojtur. Do të ishte naive të mendonim se do të hapnim kufijtë pa marrë parasysh situatën aktuale.” Situata gjeopolitike rrezikon kështu të ndikojë drejtpërdrejt në një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë, duke e kthyer pjesëmarrjen e Iranit në një çështje shumë të ndjeshme ndërkombëtare.
Top Channel