Rihapet kalimi kufitar Kerem Shalom, ndihmat rifillojnë hyrjen në Gaza pas mbylljes

03/03/2026 12:48

Izraeli ka njoftuar rihapjen e pikës kryesore të kalimit kufitar me Rripi i Gazës, për herë të parë që nga sulmet ajrore amerikano-izraelite ndaj Iranit.

Bëhet fjalë për kalimin Kerem Shalom, një rrugë jetike për hyrjen e ndihmave humanitare në territorin e shkatërruar nga lufta.

Mbyllja e vendkalimeve kishte ngritur alarmin e OKB dhe agjencive humanitare, të cilat paralajmëruan se Gaza po përballej me mungesë të shpejtë të ushqimit dhe karburantit. Në tregjet lokale u raportua për blerje në panik dhe rritje të ndjeshme të çmimeve.

Organi izraelit Cogat, që administron kalimet kufitare, deklaroi se mbyllja e Kerem Shalom ishte për shkak të “kërcënimit me raketa”, që rrezikonte si punëtorët izraelitë ashtu edhe ata palestinezë. Më herët, Cogat kishte theksuar se furnizimet ekzistuese do të “mjaftonin për një kohë”.

Disa kamionë palestinezë me ndihma janë dërguar në Kerem Shalom mëngjesin e sotëm, por ende nuk janë kthyer me mallra.

Ndërkohë, pika kufitare Rafah me Egjiptin, e cila shërben si dalje kryesore për evakuimet mjekësore, mbetet e mbyllur.

Zhvillimet vijnë në një moment kritik për popullsinë e Gazës, ku furnizimet humanitare konsiderohen jetike për përballimin e krizës.

Top Channel