U ekzekutua brenda klinikës në Marbella, arrestohet 18-vjeçari suedez për vrasjen e kirurgut plastik të njohur
Në agim, në fshatin Shixia të distriktit Yanqing në Pekin, Liu Hongyan nis ngjitjen e saj të përditshme përgjatë një prej segmenteve të vjetër të Murit të Madh të Kinës.
Prej më shumë se një dekade, Liu punon si kujdestare lokale e monumentit historik. Çdo ditë ajo përshkon afro 20 mijë hapa për të kontrolluar gjendjen e mureve, për të evidentuar rreziqet strukturore, për të pastruar barërat nga shkallët prej guri, për të parandaluar hyrjet e paligjshme të vizitorëve dhe për të mbledhur mbeturinat përgjatë shpatit.
“Më parë, kur hasnim probleme, mund të bënim vetëm fotografi si dëshmi. Tani, me rregulloret e reja, puna jonë do të jetë shumë më e lehtë”, tha Liu për Global Times.
Nga 1 marsi, puna e saj dhe e mbrojtësve të tjerë të Murit të Madh do të mbështetet nga rregulloret e reja për mbrojtjen e monumentit, të parat në Kinë që i kushtohen posaçërisht ruajtjes së Murit të Madh.
Rregulloret, të miratuara nga Komiteti i Përhershëm i Kongresit Popullor Komunal të Pekinit, përcaktojnë se mbrojtja nuk përfshin vetëm murin, por edhe objektet e tjera të trashëgimisë kulturore dhe mjedisin përreth.
Për punonjësit që kujdesen çdo ditë për monumentin, kjo përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm: nga patrullimet kryesisht njerëzore drejt një sistemi ku mbrojtja mbështetet nga ligji, teknologjia dhe monitorimi dixhital.
Dronë, satelitë dhe “gardhe elektronike”
Rregulloret e reja nxisin përdorimin e teknologjive moderne, arkivave dixhitale dhe sistemeve të monitorimit për ta bërë ruajtjen e Murit të Madh më shkencore dhe më efikase.
Në Shixia, detyra e patrullimit nuk është e lehtë. Gjatë verës, punonjësit përballen me gjarpërinj dhe insekte, ndërsa dimrit shtigjet e pjerrëta mbulohen nga dëbora dhe akulli.
“Segmenti ynë i Murit është shumë i gjerë dhe e rrethon fshatin nga tre anë, ndaj inspektimet janë veçanërisht të vështira”, tha Liu.
Teknologjia po ndihmon gradualisht në lehtësimin e kësaj pune.
Sipas rregulloreve, autoritetet mund të përdorin “gardhe elektronike” dhe mjete të tjera teknologjike për të paralajmëruar për rrezikun e ngjitjes në zona të ndaluara dhe për të penguar hyrjet e paautorizuara.
Sistemi elektronik monitoron sinjalet nga telefonat celularë dhe pajisje të tjera. Kur një person hyn në një zonë të kufizuar, sistemi mund të dërgojë automatikisht një mesazh ose alarm paralajmërues.
Sipas Yu Haikuan, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore të distriktit Yanqing, dikur patrullimi mbështetej tërësisht te puna njerëzore. Tani, teknologjia po bëhet një ndihmë e rëndësishme.
Sistemet elektronike mund të ulin gjithashtu konfliktet mes punonjësve dhe vizitorëve që tentojnë të hyjnë në segmente të Murit që nuk janë restauruar, ndërsa ndihmojnë në vlerësimin e sigurisë së monumenteve në zona të hapura.
Përveç patrullimeve në terren, autoritetet e Yanqing kanë nisur përdorimin e dronëve dhe monitorimit satelitor për identifikimin e rreziqeve.
Segmentet kryesore, përfshirë Badaling dhe zona të tjera të ruajtura mirë, tashmë janë të mbuluara nga pajisje monitorimi.
“Në të ardhmen do të forcojmë si mbrojtjen njerëzore, ashtu edhe atë teknologjike”, tha Li Jing, zëvendësdrejtor i Byrosë së Menaxhimit të Murit të Madh në Yanqing.
Nga restaurimi te mbrojtja parandaluese
Pas dekadash pune dhe qindra projekteve restauruese, Pekini përballet tashmë me një sfidë tjetër: ndikimin afatgjatë të ndryshimeve klimatike dhe presioneve mjedisore.
Profesori Tang Yuyang, nga Universiteti i Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës së Pekinit, vlerëson se në këtë fazë mbrojtja parandaluese është edhe më e rëndësishme.
Sipas tij, përdorimi i teknologjisë mund ta ndryshojë mënyrën se si trajtohen problemet, nga thjesht evidentimi i tyre drejt menaxhimit dhe parandalimit të tyre.
Rregulloret e reja, sipas Tang, përfaqësojnë kalimin nga masat administrative drejt një kuadri të formalizuar ligjor për mbrojtjen, menaxhimin, përdorimin dhe trashëgiminë e Murit të Madh në Pekin.
Pekini kërkon të hapë më shumë segmente për vizitorët
Muri i Madh në Pekin shtrihet në gjashtë distrikte: Pinggu, Miyun, Huairou, Changping, Yanqing dhe Mentougou.
Në territorin e Pekinit, ai ka një gjatësi prej 520.77 kilometrash dhe përbëhet nga 461 segmente, të ndërtuara në periudha që shkojnë nga dinastia Qi e Veriut, në vitet 550-557, deri te dinastia Ming, 1368-1644.
Segmenti i Badalingut u përfshi në vitin 1987 në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Muri në Pekin përfshin jo vetëm ndërtime të lashta, por edhe rrënoja arkeologjike, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të trashëgimisë.
Mbrojtja shtrihet edhe te monumentet e lidhura me të, peizazhi përreth, traditat lokale dhe marrëdhënia historike mes Murit dhe fshatrave pranë tij.
Për banorët e këtyre zonave, Muri i Madh nuk është vetëm një monument historik, por edhe një burim jetese.
“Për breza me radhë, ky rajon ka qenë i lidhur ngushtë me Murin e Madh”, tha Xu Xu, zëvendësdrejtor i qytetit Badaling në Yanqing. Sipas tij, pas shpalljes së rregulloreve të reja, banorët po mësojnë mënyra më të mira për ta mbrojtur dhe shfrytëzuar trashëgiminë kulturore në mënyrë që ajo të kontribuojë edhe në përmirësimin e jetës së tyre.
Rregulloret sjellin gjithashtu konceptin e zonave të përcaktuara për vizita turistike. Segmentet e Murit që aktualisht janë të mbyllura, por që plotësojnë disa kritere, mund të hapen në të ardhmen për publikun.
Aktualisht, më pak se 5 për qind e segmenteve të Murit të Madh në Pekin janë të hapura si zona turistike.
Autoritetet planifikojnë të rishikojnë inventarin e të gjitha segmenteve të Murit dhe të vlerësojnë cilat prej tyre mund të hapen për vizitorët. Vendimi do të bazohet në gjendjen e ruajtjes, mundësinë e aksesit publik dhe kapacitetin për të përballuar fluksin e turistëve.
Top Channel