Kakavijë, dogana zbulon rreth 350 kg lëndë narkotike janë zbuluar mëngjesin e sotëm në pikën kufitare të Kakavijës.

Rreth orës 6:30 të ditës së sotme, gjatë kontrollit në skaner të një mjeti bosh në dalje në pikën doganore të Kakavijës, u vu re krijimi i një dopio shasie, ku ishte vendosur një sasi e dyshuar lënde narkotike “canabis sativa”.

Punonjësit e doganës e kanë kaluar mjetin trajler për kontroll fizik, së bashku me forcat e policisë, ku janë zbuluar 166 pako me 2.1 kg secila lëndë e dyshuar narkotike.

Shoferi është arrestuar dhe mbi të rëndon vepra penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Risku”. Gjatë kontrolleve intensive me mjete logjistike bashkëkohore, shërbimet e Policisë dhe Doganës gjetën të fshehura në brendësi të një kamioni rreth 166 pako me lëndë narkotike kanabis, me peshë totale rreth 350 kilogramë. Vihet në pranga drejtuesi i kamionit ku u gjet lënda narkotike.

Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, në një vend të krijuar posaçërisht në dyshemenë e kamionit, poshtë shtresës së saj, rreth 166 pako, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar kanabis, me peshë totale rreth 350 kilogramë.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin E. Q., 33 vjeç, banues në Tiranë, shofer i kamionit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 350 kilogramë Cannabis Sativa dhe kamioni.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike””, thuhet në njoftimin e plotë të policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB