Zbulohen detaje të tjera nga Epstein, tentoi të blinte pallat luksoz në Marok një ditë para arrestimit, vlera arrinte në 14.95 mln dollarë

27/02/2026 16:21

Jeffrey Epstein u përpoq të blinte një pallat multimilionë dollarësh në Marok vetëm një ditë para arrestimit të tij në korrik 2019, sipas dokumenteve të publikuara nga United States Department of Justice.

Transaksioni, që konsiderohet si lëvizja e fundit e madhe financiare e tij para ndalimit nga autoritetet amerikane, nuk u finalizua.

Më 5 korrik 2019, Epstein nënshkroi një transfertë bankare prej 14.95 milionë dollarësh për blerjen e kompanisë offshore që zotëronte pronën “Bin Ennakhil”, në lagjen luksoze Palmeraie të Marrakesh.

Marrëveshja e plotë kapte vlerën e rreth 18 milionë eurove. Ai u arrestua një ditë më vonë në Nju Jork për akuza të trafikimit seksual.

Tre ditë pas arrestimit, kontabilisti i tij, Richard Kahn, anuloi transfertën bankare dhe blerja nuk u përfundua kurrë.

Prona në fjalë, e përshkruar si një kryevepër arkitekturore, ndodhet në zonën elitare Palmeraie dhe, sipas një broshure shitjeje, ishte ndërtuar nga rreth 1,300 artizanë përgjatë tre viteve, me gdhendje dhe mozaikë të detajuar tradicionalë.

Epstein kishte ndjekur blerjen e pronës që nga viti 2011, por negociatat me shitësin për çmimin dhe kushtet e marrëveshjes kishin zgjatur për vite me radhë.

Media lokale në Marok ka spekuluar se blerja mund të ishte pjesë e një plani për t’u tërhequr në vend, duke qenë se Maroku nuk ka traktat ekstradimi me SHBA-në.

Megjithatë, një ish-bashkëpunëtor i Epsteinit ka deklaruar se ai “nuk kishte asnjë ide” për arrestimin e afërt dhe se dokumentet e publikuara nuk përmbajnë prova që prona synohej si strehë për t’iu shmangur drejtësisë.

Lidhjet e Epsteinit me Marokun datojnë që nga fillimi i viteve 2000. Virginia Giuffre ka rrëfyer se ishte dërguar në Tangier nga Epstein dhe Ghislaine Maxwell për të inspektuar prona luksoze. Në vitin 2002, Epstein kishte marrë pjesë edhe në dasmën e Mohammed VI, ku thuhet se ishte i ftuar nga Bill Clinton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB