Denoncimi i Fiks Fare/ Shiti shtëpinë në 2015-ën, del debitor për dritat në 2026-ën!

26/02/2026 20:45

Fiks Fare denoncoi veprimet dhe mosveprimet e disa zyrave të shtetit të cilat i kanë vendosur tarifa shërbimi një qytetari, pavarësisht se ky qytetar e kishte shitur shtëpinë në vitin 2015.

Bujar Nallbani u ankua në emisionin investigativ se, kur shiti shtëpinë në Berat në atë vit, mbylli edhe kontratën. Por, edhe nëse s’e kishte mbyllur, blerësi i apartamentit hapi 3 kontrata të tjera dhe OSHEE duhet ta kishte verifikuar!

Një gjë e tillë nuk ndodhi, teksa Nallbani u vu në dijeni për detyrimet e para në vitet 2018-2019. “Thashë si ka mundësi dhe shkoj e pyes dhe më thonë se do paguash lekët e shërbimit. Gjoja që s’kisha hequr kontratën nga sistemi. Mora avokat dhe shkuam në gjyq. E fitova shkallën e parë dhe shkoj në Apel. Dhe në Apel e fitova dhe çdo gjë u fshi. Mendoja se ishte fshirë. Vendimi i gjykatës përcaktonte se nga sot që ne marrim vendim dhe më përpara të gjitha fshihen” pohon Nallbani.

Sipas tij, vitin e kaluar ai ka vënë edhe një sahat në Durrës. “S’më doli asnjë pretendim. Sepse në fakt me ata njihesha. Po këto qenka po u njohe dhe po pagove këtu nuk e pyesin sistemin. Këta pretendim nxjerrin ta lëmë problemin që të agravohet. Disa muaj më parë doja të vija një sahat të ri në Tiranë. Tani, në 2026-ën më thonë ke një detyrim, je debitor. Nga doli kjo?! A kam fituar edhe gjyqin me ta. Bëhet fjalë për të njëjtën shtëpi që kam shitur 11 vite më parë”, pohon Nallbani.

“Janë tarifa nga 2019-ta që është dhënë vendimi gjyqësor deri më sot. Ka shkuar nja 600 mijë lekë. Për çfarë duhet t’a paguaj?! Aty çdo gjë është sheshuar, unë e shita blerësi e mori, gjyqi e dha vendimin. Tani në del në sistem. Tani ky kodosh sistemi, se djalli fshihet në detaje, tani këto detaje i bëjnë vetë. Ndryshe ça kuptimi ka?! Nëse për gjëra kaq të vogla korrupsioni është kaq i madh, imagjino nga ato më të mëdha. Nxjerrin kleçka. Më thonë di duhet të paguash. Ta zëmë se pagova, a kam siguri që këto do vazhdojnë prapë. Prapë më thanë!”, thotë ai.

Pas ankesës, qytetari shkon te zyrat e OSHEE, për të marrë përgjigje. Ai takon një specialiste duke i shpjeguar se, shtëpinë e ka shitur, dhe se vendimi i gjyqit i është anuluar. Punonjësja i thotë se, pa paguar detyrimin, s’mund të hapë kontratë të re. “Atë që ke bërë me çështje gjyqësore të gjitha janë anuluar në sistemin tonë zotëri. Faturat që s’të takojnë, pas vendimit të gjyqit. Vendimi të thonë nga 2019-ta dhe këtej. Dmth ky vendimi që ke paraqitur këtu thotë mars 2019 – shkurt 2015. Ty faturimi që je debitor të fillon nga marsi 2019-ës. Dmth ky vendim nuk thotë 25-ës, 24-ës, 23-shit, 22-shit. Këto vazhdojnë. O Zotëri, këto janë tarifa shërbimi, sepse nuk bëhet pezullim kontrate. Në qoftë se kontrata vazhdon në emrin tuaj kjo do të vazhdojë të gjenerojë. Nëse nuk likuidon debinë dhe s’bën mbyllje kontrate, patjetër kjo do të vazhdojë të eci”, pohon ajo.

Pas kësaj përgjigje, grupi i Fiks Fare shkoi dhe u interesua në zyrat qendrore të OSHEE-së. Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median, Ardian Kola, thotë se OSHEE ka filluar një verifikim të rastit dhe debia ndaj qytetarit do të pezullohet. Gjithashtu ka nisur një kontroll i plotë mbi të gjithë procedurën e ndjekur, pasi qytetari s’ka asnjë detyrim në momentin që ka shitur shtëpinë.

“Ne kemi nisur një hetim të brendshëm sa i takon kontratës së shit-blerjes së apartamentit. Që të përkojë me periudhën e shitjes së shtëpisë edhe me faturat. Ne do të shikojmë që këtij personi s’i lind e drejta t’a ketë ky person, por blerësi, ai që e ka objektin. Do të shikojmë se ka edhe një pretendim që aty janë hapur 3 kontrata të tjera. Ato janë 3 kontrata bazuar në certifikatën e pronësisë”, thotë Kola, teksa shton se gjithçka duhej të ishte verifikuar nga zyrat e vetë OSHEE-së.

“Në momentin që ti hap kontratën e dritave duhet të ishte parë se çfarë ndodhi me matësin e Nallbanit dhe përse s’u mor në konsideratë. Ne kemi parim që s’hapim kontratë të re pa paguar detyrimet e vjetra. Në këtë rast me sa shohim ne në atë kohë para 10 viteve s’ka ndodhur. Ne po vijojmë në 2 drejtime, pezullimin e tarifave të konsumit, pasi kemi një akt shit-blerje të shtëpisë dhe procesin e hapjes së 3 kontratave, pa u verifikuar. Fokusi jonë është që nëse dikush shet një banesë, me të gjitha detyrimet, aty transferohen të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me ujin e pijshëm me energjinë elektrike”, përfundon Kola.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB