Synimi për Scudetton dhe avancimi në Ligën e Kampionëve, kombinimi i pamundur i futbollit italian

25/02/2026 16:22

Pas finales tragjike të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, ku PSG i shënoi pesë gola, shumë tifozë të Interit vunë në dyshim logjikën e sakrifikimit fizik dhe mendor për një rrugëtim evropian që mund të mos shpërblehet, në kurriz të garës për Scudetton.

Në prag të sfidës kundër Bodos, Federico Dimarco deklaroi se do të preferonte titullin kampion në Itali. Një qëndrim që pasqyron realitetin aktual: për momentin, duket vërtet e vështirë të imagjinohet një skuadër italiane që fiton trofeun më prestigjioz evropian.

Historia e konfirmon këtë vështirësi. Dopieta – triumfi në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve – është arritur vetëm në tre raste nga klubet italiane: Interi në vitet 1965 dhe 2010 (në rastin e fundit duke shtuar edhe Kupën e Italisë) dhe Milani në vitin 1994. Sot, me një kalendar gjithnjë e më të ngjeshur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, misioni është bërë edhe më kompleks. Zgjedhja mes prioriteteve duket pothuajse e detyrueshme.

Ndryshe ndodh në kampionate të tjera. Mjafton të kujtojmë katër edicionet e fundit të Ligës së Kampionëve: Real Madridi i Carlo Ancelottit triumfoi në vitet 2022 dhe 2024, Manchester City në 2023, ndërsa PSG sezonin e kaluar. Edhe pse kampionati francez konsiderohet më pak konkurrues, në Spanjë dhe Angli fitimi i titullit nuk është aspak formalitet. Atëherë pse në Itali perceptohet si një sukses legjendar kur arrihet dopieta? Ndoshta sepse, në mënyrë të pavetëdijshme, klubet dhe ambienti detyrohen të bëjnë një zgjedhje.

Sa i përket Interit, shifrat ofrojnë një pasqyrë konkrete. Zikaltrit e nisën këtë edicion të Ligës së Kampionëve me vrull, sidomos përballë kundërshtarëve më të dobët në letër, por më pas pësuan një rënie të ndjeshme. Në dhjetë ndeshje kanë regjistruar pesë fitore dhe pesë humbje, një bilanc që tregon luhatje të dukshme.

Gjatë tre sezoneve të fundit nën drejtimin e Inzaghit, Interi kishte pësuar vetëm gjashtë humbje në total në Ligën e Kampionëve, përballë kundërshtarëve të kalibrit si Bayer Leverkusen, PSG, Atlético Madrid, Bayern Munich, Barcelona dhe Manchester City.

Natyrisht, gjithçka mund të zbehet nëse në fund të sezonit vjen Scudetto. Por deri atëherë, reflektimet mbi prioritetet dhe ambiciet e Interit mbeten më se të arsyeshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB