Liga e Kampioneve / Raundi i fundit eliminator kishte plotë drama, surpriza dhe mrekulli në të dy netët europiane Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në kuadër të diplomacisë parlamentare, zhvilloi një vizitë zyrtare në Senatin e Francës, ku u prit nga Presidenti i Senatit, Gerard Larcher.
Takimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Francës.
Para takimit, Kryetari Peleshi dhe delegacioni shqiptar u përshëndetën në Lozhën e Nderit të Senatit nga Presidenti Larcher dhe senatorët francezë, ndërkohë që Senati ishte në sesion. Ky moment simbolik dëshmoi nivelin e lartë të respektit institucional dhe marrëdhëniet shumë të mira mes dy parlamenteve.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi Francën një vend mik dhe partner shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës në procesin e anëtarësimit në BE. Ai theksoi se vizita zhvillohet në një kontekst shumë pozitiv, të karakterizuar nga një miqësi historike, marrëdhënie të shkëlqyera dhe partneritet strategjik mes dy vendeve.
Presidenti i Senatit rikonfirmoi mbështetjen e Francës për bashkëpunimin e gjithanshëm me Shqipërinë dhe për procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai vlerësoi ritmin e shpejtë të progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit, duke e cilësuar këtë fazë si një “sprint të fundit drejt BE-së”, që kërkon vullnet të fortë dhe bashkëpunim politik. Presidenti Larcher theksoi nevojën për bashkëpunim për të forcuar besimin e opinionit publik dhe qytetarëve evropianë ndaj procesit të zgjerimit. Ai vlerësoi gjithashtu rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon dhe shprehu gatishmërinë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Kryetari Peleshi nënvizoi angazhimin e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat e përfshira në marrëveshjet mes dy qeverive dhe përtej tyre, duke përfshirë mbrojtjen, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, emergjencat civile, energjinë dhe arsimin. Ai theksoi se forcimi i sundimit të ligjit, pavarësia e drejtësisë dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten prioritete të padiskutueshme në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.
Kryetari Peleshi vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon, duke riafirmuar mbështetjen për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe qëndrimin e qartë të Shqipërisë në mbështetje të orientimit euroatlantik dhe kundër influencave jo-euroatlantike në rajon.
Ky takim konfirmon angazhimin e ndërsjellë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Shqipëri-Francë dhe për avancimin e bashkëpunimit parlamentar, në funksion të stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit shoqërohet në këtë vizitë zyrtare në Francë nga Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deputetët Hatixhe Konomi dhe Enno Bozdo, anëtarë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Francë, si dhe Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola.
Top Channel