Policia ka arrestuar mbrëmjen e sotme dy persona të cilët dyshohen se janë përfshirë në aksidentin tragjik që ndodhi paraditen e sotme në Tiranë, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeç.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat, në pranga ka rënë Tomorr Shukulli i cili dyshohet se ka qenë i pari që e goditi fëmijën dhe Valentina Koltraku, e cila më pas e ka përplasur përsëri me mjetin e saj 7-vjeçarin.
Aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 11:20, në rrugën “Kastriotët” ku pas përplasjes të një pas njëshme i mituri ka humbur jetën në spital.
Njoftimi i policisë:
Identifikohen dhe vihen në pranga drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në këtë aksident.
Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.
Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.
Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.
Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel