Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është arrestuar sot në pikën kufitare të Bllacës, pas më shumë se një viti në arrati.
Ndalimi i tij u konfirmua nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut. Pamjet e para nga dorëzimi i ish numrit dy të qeverisë, janë publikuar nga disa portale maqedonase.
Grubi shihet aty teksa ndalohet e shoqërohet nga zyrtarët policorë. Priten detaje shtesë lidhur me hapat e mëtejshëm proceduralë, përfshirë këtu edhe të dhënat nëse Grubi do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit apo ndonjë veprimi tjetër juridik.
Ish-zëvendëskryeministri përballet me akuza të lidhura me rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”, nën dyshimin se abuzimit me detyrën dhe përvetësim të fondeve. Ky rast përfshin gjithashtu Përparim Bajramin, i cili po ashtu është përmendur në aktakuzë si i dyshuar.
Prokurorët dyshojnë se Grubi dhe Bajrami kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).
Ky hetim ka qenë një nga rastet më të rëndësishme të korrupsionit në Maqedoninë e Veriut dhe ka nxitur protesta dhe kritika të shumta ndaj politikës dhe administratës shtetërore.
Arratia mbi një vjeçare e Grubit pas shpalljes në kërkim, është kthyer në një nga ngjarjet më të diskutuara në vend. Ky rast ka tërhequr vëmendjen e medias dhe publikut, pasi përfshin ish-zyrtarë të lartë të qeverisë dhe dyshime për shpërdorim të detyrës dhe të parave publike.
Top Channel