18 vite nga tragjedia e Gërdecit, familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi: Gjyqi që po zhvillohet në GJKKO nuk është proces politik

15/03/2026 12:11

Me lule në duar dhe dhimbjen që s’e fashitën as 18 vitet e kaluara, banorët e Gërdecit përkujtuan 26 familjarët e tyre që humbën jetën gjatë shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve më 15 mars të vitit 2008.

Paralelisht me homazhet, vit pas viti ata përsërisin apelin për drejtësi. Në një deklaratë të përbashkët në këtë 18-vjetor pas tragjedisë, ata shprehen se procesi gjyqësor që po zhvillohet tashmë në gjykatën e posaçme kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është një proces i domosdoshëm dhe i vonuar. Po ashtu, ata ngrejnë pretendime për zvarritje të qëllimshme.

Më tej, ata e përmbyllën deklaratën duke thënë se presin me durim, pa bërë shumë komente publike, pa tejmbushur sallën e gjyqit me dramën e tyre dhe pa kërkuar hakmarrje.

“Ne kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë, që shoqëria shqiptare të sigurohet që një ngjarje e tillë të mos përsëritet kurrë më. Ky është amaneti i atyre shpirtrave që përkujtojmë sot,” shkruajnë familjarët e viktimave të Gërdecit.

Top Channel