Fundjava që sapo u mbyll ka rezultuar shumë pozitive për futbollistët e kombëtares shqiptare, teksa sfidat e playoffit të Botërorit 2026 po afrojnë çdo ditë e më shumë. Disa prej tyre kanë qenë protagonistë direkt në ndeshjet e klubeve të tyre, të tjerët kanë dhënë një kontribut të madh në fushën e lojës.

Kështu në SHBA, Myrto Uzuni e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri në Major League Soccer teksa shënoi një gol në ndeshjen e skuadrës së tij Austin me Minnesota United, një sfidë kjo që është mbyllur 2-2. Anis Mehmeti shënoi golin e tij të parë me skuadrën e Ipsëich në përballjen me Wrexham me sulmuesin kuqezi që e shënoi golin e tij në minutën e 20

Ndërkaq, kanë dhënë kontributet e tyre në fushën e lojës me asiste disa lojtarë të tjerë. Kristjan Asllani shërbeu në golin e dytë të Besiktas, në fitoren 4-0 që ky i fundit regjistroi në sfidën me Goztepe. Ernest Muçi vazhdon të shkëlqejë në futbollin turk. Këtë radhë për futbollistin kuqezi nuk pati gol, por ai dha një asist në golin e parë të Trabzonspor në fitoren 2-1 të këtij të fundit ndaj Gaziantep. Duke qëndruar në futbollin turk, Qazim Laçi dhuroi gjithashtu një asist në fitoren 2-0 të skuadrës së tij Rizespor ndaj Kocaelispor. Nga Turqia shkojmë në Skoci te skuadra e Rangers, ku Nedim Bajrami dha asist në golin e parë të skuadrës së tij në barazimin 2-2 në sfidën me Livingston. Ndërkohë lojtarë të tjerë të kombëtares janë aktivizuar si titullarë; Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Arlind Ajeti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Taulant Seferi dhe Rey Manaj, ndërsa Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli dhe Adrion Pajaziti u aktivizuan nga stoli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB