Video/ Arbitrat sërish nën shënjestër në Serie A, shpërthejnë polemikat për golin e Parmës kundër Milanit një javë pas Inter-Juve

22/02/2026 21:35

Vetëm një javë pas diskutimeve të forta për arbitrimin në Inter–Juventus, “San Siro” rikthehet në qendër të polemikave. Këtë herë në fokus është goli që vendosi sfidën mes Milanit dhe Parmës, i realizuar nga Mariano Troilo në minutat e fundit.

Me rreth 10 minuta nga fundi, Parma fitoi një goditje këndi. Emanuele Valeri ekzekutoi drejt shtyllës së dytë, aty ku Troilo devijoi me kokë duke dërguar topin në rrjetë pas shpinës së Mike Maignan.

Fillimisht, arbitri Marco Piccinini e anuloi golin për një bllokim të pretenduar nga Valenti ndaj portierit të Milanit. Sipas gjyqtarit, kishte faull ndaj Maignan dhe, në bazë të protokollit, situata nuk dukej si një “gabim i qartë dhe i dukshëm” që do të kërkonte ndërhyrje.

Megjithatë, pas sinjalizimit nga VAR, Piccinini u thirr në monitor për të rishikuar aksionin. Pamjet tregojnë se Valenti u pozicionua pas portierit francez, duke i zënë trajektoren, por pa një përplasje të drejtpërdrejtë. Ishte Maignan ai që, në përpjekje për të ndjekur topin, u përplas me mbrojtësin e Parmës.

Pas rishikimit, arbitri vendosi të ndryshojë vendimin dhe të akordojë golin, duke vlerësuar se nuk kishte faull të qartë nga Valenti.

Kliko këtu për golin.

Debati nuk mbaron këtu. Në momentin e goditjes me kokë, Troilo duket se vendos duart mbi shpinën e Davide Bartesaghi, duke krijuar një tjetër situatë të dyshimtë. Pamjet sugjerojnë një mbështetje të lehtë para devijimit vendimtar, por kjo pjesë e aksionit nuk u adresua qartë në shpjegimin final të arbitrit.

Piccinini, në komunikimin e tij në stadium, u fokusua vetëm te kontakti mes Valenti dhe Maignan, duke argumentuar se nuk kishte faull ndaj portierit. Për episodin mes Troilos dhe Bartesaghi-t nuk pati sqarim publik.

Vendimi ka ndezur reagime të shumta, me Milanin që ndjehet i penalizuar, ndërsa Parma mbron legjitimitetin e golit. Një tjetër mbrëmje në “San Siro” që lë pas më shumë pyetje sesa përgjigje mbi interpretimin e episodeve kyçe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB