Presioni i SHBA-së në Iran, Trump vë në pikëpyetje qëndrimin e Teheranit: Si ka mundësi që nuk po reagojnë

22/02/2026 22:18

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shpreh habi për faktin se Irani ende nuk ka bërë lëshime përballë rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Këtë e bëri të ditur i dërguari i tij special, Steve Witkoff, në një intervistë për Fox News.

Sipas Witkoff, Trump është “kurioz” pse Teherani nuk ka reaguar ndaj presionit të shtuar, përfshirë paralajmërimet për një sulm të mundshëm të kufizuar nëse nuk arrihet një marrëveshje për programin bërthamor iranian.

“Nuk dua të përdor fjalën ‘i frustruar’, por ai pyet pse, nën këtë presion dhe me këtë prani detare në rajon, Irani nuk ka ardhur të thotë se nuk dëshiron armë bërthamore”, u shpreh Witkoff.

SHBA dhe aleatët evropianë dyshojnë se Irani synon të zhvillojë armë bërthamore, një akuzë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht, shkruan BBC.

Witkoff ishte negociatori kryesor amerikan në bisedimet indirekte me Iranin në Gjenevë më 17 shkurt. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se ekziston ende mundësia për një zgjidhje diplomatike “me përfitim për të dyja palët”. Ai shtoi se Teherani po përgatit një draft-marrëveshje për t’ia paraqitur palës amerikane.

Ndërmjetës i negociatave ka qenë Badr Albusaidi, i cili njoftoi se raundi i ardhshëm i bisedimeve do të zhvillohet sërish në Gjenevë këtë të enjte.

Megjithatë, Trump ka paralajmëruar se “brenda 10 ditëve” do të bëhet e qartë nëse do të arrihet marrëveshje apo nëse SHBA do të ndërmarrë veprime ushtarake.

Në javët e fundit, SHBA ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në rajon. Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, USS Gerald R. Ford, po lëviz drejt Lindjes së Mesme, ndërsa USS Abraham Lincoln është tashmë e dislokuar, së bashku me anije luftarake dhe avionë ushtarakë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB