Barcelona e shfrytëzoi në maksimum hapin fals të Realit të Madridit në Pamplona dhe arrin të mundë Levanten duke rimarrë kreun e klasifikimit të Ligës Spanjolle. Në Camp Nou, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick reagoi menjëherë ndaj humbjes në Girona duke e mposhtur skuadrën valenciane me rezultatin e pastër 3-0.

Kampionët e Spanjës e vendosën ndeshjen në drejtimin e dëshiruar që në pjesën e parë të sfidës. Vetëm 4 minuta iu deshën skuadrës blaugrana për të zhbllokuar rezultatin me Bernal pas një asisti të Eric Garcia dhe për të çuar rezultatin në 1-0. Në minutën e 32 erdhi edhe goditja e dytë e katalanasve që shënuan sërish këtë radhë me Frenkie De Jong që shfrytëzoi një asist të Joao Cancelos dhe me rezultatin 2-0 në favor të Barcelonës u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.

Në pjesën e dytë të besuarit e Hansi Flick shënuan sërish me Fermin Lopez që u shërbye nga Lamine Yamal duke e cuar rezultatin 3-0 që qëndroi i tillë deri në fundin e sfidës me Barcelonën që shkon në kuotën e 61 pikëve në krye, 1 më pak se Reali i Madridit që zbret sërish në vendin e dytë, ndërsa Levante mbetet me 18 pikë në zonën e rënies nga kategoria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB