Këtë fundjavë Enea Jorgji, arbitri ndërkombëtarë shqiptarë, aktulisht ndër më të vlerësuarit në ndeshjet e UEFA-s por edhe në Superligës, arriti kuotën e 300 ndeshjeve.
Një shifër shumë e lartëpër të mbajtur një standart të këtij lloji,në futbollin shqiptarë që ndoshta nuk është më i bukuri, apo më I forti në Europë, por padyshim ndër mçë të vështirët për t’u menaxhuar dhe sidomos pëpr arbitrat.
Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, Jorgji tregon 300 ndeshjet e tij, nga dëshira për të qenë pjesë e arbitrimit, tek vendimet e gabuara, përmirësimet e vazhdueshme dhe netët pa gjumë, apo tentativat për t’u tërhequr.
- 300 ndeshje në karrierë, çfarë përfaqëson kjo shifër për ju personalisht dhe profesionalisht?
- 300 ndeshje, të menduara si numër, janë fillimisht një perceptim shifrash. Kjo të bën të analizosh nëse puna që ke bërë në këto shifra mund të konsiderohet një sukses apo një normalitet për realitetin. Mbi këtë analizë mendoj që personalisht kam bërë një punë të madhe e të lodhshme, pasi fakti që jam akoma në ngritje të kësaj shifre do të thotë që puna e bërë më vlerësohet. Më pas, duke e parë profesionalisht, kjo shifër merr një vlerë të padiskutueshme kur sheh që këto prezenca janë në Superligë, çka përkthehet në nivelin më të lartë ku arbitrat përfaqësohen në Shqipëri.
- Kur shikoni pas, cili është momenti që mendoni se ju ka formuar më shumë si arbitër?
- Në formimin tim si arbitër nuk është një, por ka një mori momentesh në të cilat unë kam reflektuar përgjatë karrierës time dhe, duke i menduar në një moment të mëvonshëm, kam kuptuar nëse kam bërë mirë apo keq dhe se si duhej të kishte qenë qasja ime ndryshe. E them me bindje që formimi, jo vetëm i imi, por i kujtdos në çdo fushë të jetës, është analiza që i bën vetes, autokritika ndaj vetes dhe pranimi i gabimeve duke qenë i përulur për t’u përmirësuar vazhdimisht.

- A e kujtoni ndeshjen e parë si në Superligë? Çfarë ndjenje kishit krahasuar me sot?
- Ndeshja ime e parë ka qenë Vllaznia – Bylis. Në atë kohë Vllaznia luftonte për titullin kampion dhe kishte në skuadër emra të mëdhenj të kampionatit shqiptar dhe emocioni ishte i dyfishtë. Jo vetëm që do të arbitroja për herë të parë një ndeshje të Superiores, por sepse do të përballeshim me emra si Vioresin Sinani, Suad Lici, Ermir Grima etj. Sot arbitroj po njëlloj emra të njohur, por qasja është ndryshe, pasi komunikimi ka ndryshuar, emri im është i konfirmuar përgjatë viteve dhe lojtarët sot nuk presin më vetëm një vendim korrekt prej meje, por edhe të arsyetuar konform rregullave të lojës, çka e bën punën dhe marrëdhënien time me skuadrat më profesionale.

- Çfarë ka ndryshuar më shumë në futbollin shqiptar nga ndeshja juaj e parë deri tek e 300-ta?
- Nga ndeshja ime e parë deri më sot ka ndryshuar shumë futbolli, rregullat, interpretimet e vendimeve, transparenca dhe saktësia e vendimmarrjeve. Sot flasim për detaje dhe jo vetëm për vendime të drejta apo të gabuara. Sot flasim për vendime që analizohen me detaje për të arritur në konkluzione përfundimtare të duhura ose jo. Kjo vjen si rrjedhojë e përmirësimit të teknologjisë, por edhe rritjes së cilësisë.

- Cili ka qenë momenti më krenar në këto 300 ndeshje?
- Çdo ndeshje që arbitroj në fushë është një moment krenarie për mua, sepse përkthehet në një besim për atë punë që bëj dhe një vlerësim për t’më dhënë përgjegjësinë e së drejtës për grupe interesi në masë popullore.
- Sa e vështirë është të ruash përqendrimin dhe autoritetin pas kaq shumë vitesh në fushë?
- Sigurisht që me vitet besimi është më i madh, perceptimi për vendimmarrjet e mia është më i sigurt dhe kjo kërkon një punë më të madhe për të ruajtur përqendrimin dhe sigurisht edhe autoritetin e profilit që përcjell në fushën e lojës. Çelësi i suksesit për mua është të qenit i përulur për të mësuar dhe të mos mendoj kurrë se tanimë nuk ka çfarë të bëj më shumë.

- A ka ende emocione para çdo ndeshjeje, apo përvoja i zbut ato?
- Përvoja sigurisht që i amortizon, por sido që të jetë, në çdo ndeshje që kam hyrë në fushë, që prej fillimit e deri më sot, jam shoqëruar nga emocione të cilat mendoj që do të jenë udhëtare së bashku me mua deri në fund.
- Arbitrat shpesh mbahen mend për një vendim. A ka një vendim që ju ka ndjekur gjatë në karrierë?
- Filozofia në fushën e lojës për një arbitër është të marrësh vendim të saktë dhe të mos e kthesh më kokën pas për të menduar nëse ishte i duhuri apo jo, sepse vetëm kështu mund t’i japim vetes mundësinë për të bërë punën tonë më mirë. Nëse më pas do të flisnim nëse ka vendime që më shoqërojnë, kjo është diçka që ekziston dhe do të vazhdojë të ekzistojë, sepse vazhdimisht në momente të caktuara vendimet arbitrare kthehen në kujtesë për mirë apo për keq nga individë apo grupe të caktuara.

- Si e përjeton një arbitër një gabim të rëndësishëm? A fle dot qetë atë natë?
- Vendimet e rëndësishme gjithmonë kanë impakt në momentin post-ndeshje dhe kjo jo gjithmonë shoqërohet me një qëndrim apo përjetim të ngjashëm. Gjithsesi, e vërteta është që ndikon në humorin dhe qetësinë që kam. Ka pasur plot raste që nuk kam bërë gjumë apo kam kaluar një natë jo të qetë nga ana mendore.
- A keni pasur ndonjë moment kur keni menduar të hiqni dorë nga arbitrimi?
- Sigurisht që ka pasur dhe për këtë duhet të falënderoj personat që më kanë qëndruar pranë dhe më kanë mbështetur, duke më shtyrë të mos hiqja dorë, por të punoja akoma më shumë për të treguar që jam i aftë për të qenë aty ku duhet të jem.
- Sa ndikojnë presioni i tifozëve dhe atmosfera e stadiumit në sekondat e një vendimi?
- Për mua personalisht tifozët janë një motivim në fushë dhe më rezulton që në ndeshjet me më shumë tifozë performanca ime ka qenë shumë më e mirë. Kështu që rrjedhimisht vendimet e mia, edhe pse nën petkun e një presioni, kanë qenë më të sakta.

- Si e menaxhon një arbitër kritikën, sidomos në epokën e rrjeteve sociale?
- Kritikat përgjithësisht jam munduar t’i shoh në prizmin pozitiv dhe jam përpjekur të nxjerr konkluzione mbi to duke i marrë për bazë si të shëndetshme (normalisht ato të cilat më janë dukur të tilla) dhe në këtë mënyrë të përmirësohem në vazhdim. Por duhet të jem i vërtetë: sot epoka e rrjeteve sociale e ka shumëfishuar trysnien dhe presionin mbi arbitrat me komentet apo shkrimet që postohen, pasi disa janë jo vetëm cënuese, por edhe jashtë natyrës normale të të bërit një kritikë.
- A ka ndodhur ndonjëherë që pas ndeshjes të keni rishikuar një rast dhe të keni menduar: “Do ta bëja ndryshe”?
- Sigurisht që ka ndodhur plot herë kur, pasi e kam riparë një rast pas ndeshje, kam menduar që duhej të veproja ndryshe.

- Çfarë mendimi keni për teknologjinë (VAR) dhe sa e ka ndryshuar ajo rolin e arbitrit?
- Sistemi VAR e ka ndihmuar si futbollin ashtu edhe arbitrimin në kompleks, pasi shumë gabime të cilat përpara ndodhnin për arsye të mungesës së përqendrimit, mos pasjes së këndit të duhur të shikimit, vlerësimit apo interpretimit të gabuar të momentit, sot korrigjohen dhe i jepet merita apo e drejta në një përqindje shumë herë më të lartë ekipeve të cilat më parë janë penalizuar. Tek arbitrat sistemi VAR ka pasur qasje të ndryshme, pasi për disa ka qenë diçka që i ka vendosur në një zonë komforti duke ulur pak vigjilencën, e për disa të tjerë është kthyer në një sfidë me vete duke u munduar çdo ndeshje t’i qëndrojnë sa më larg monitorit të rishikimeve.
- A është arbitrimi një profesion që të forcon karakterin apo që të lodh emocionalisht me kalimin e viteve?
- Personalisht arbitrimi më ka ndihmuar të jem një person më i matur, më i pjekur, më i vëmendshëm, më i përulur tek pranimi i kritikave apo sugjerimeve, duke ndikuar kështu jo vetëm në sport, por edhe në jetën e përditshme në punë, rrethin shoqëror apo edhe në familje.

- Çfarë këshille do t’i jepnit një të riu që dëshiron të bëhet arbitër në Shqipëri?
- Këshilla ime do të ishte që ata të bëhen pjesë e një projekti i cili nuk reshton kurrë së përmiresuari fushën ku vepron, ku teknologjia dhe aftësitë njerëzore ndërthuren në një profesion që vetëm kur je pjesë aktive e kupton sa i bukur është.
Top Channel